Site icon Telegrafi

Të jetosh në një skenë krimi

Përktheu: Fadil Bajraj

Shpërbërja e përgjakshme e Jugosllavisë përkoi me kohën e rritjes dhe pjekurisë sime. Ndërsa komandanti suprem i hordhive të së keqes, Sllobodan Millosheviq, po përpiqej ta shkatërronte tërësisht vendin tim, unë po formohesha si person dhe si një qenie që mendon. Jo vetëm në emrin tim, por në emër të të gjithë neve të viteve shtatëdhjetë, mund të them se në mënyrë vendimtare na ka prekur përvoja e shpërbërjes së Jugosllavisë, se na ka përcaktuar dhe përkufizuar se çfarë jemi dhe çfarë do të bëhemi. Edhe pse është bërë i zakonshëm termi “Shpërbërja e Jugosllavisë“ nuk është termi më adekuat, më shumë ka të bëjë me vrasje në mënyrë më mizore dhe tinëzare nga motive të ulëta. Koha e kryerjes së krimit zakonisht merret viti 1991, kur Sllovenia dhe Kroacia u shkëputën nga Jugosllavia dhe kur filluan konfliktet ushtarake.

Jam më i prirur për mendimin e avokatit Srgja Popoviq, ndoshta interpretuesi më i zgjuar i tmerrit tonë, se vdekja e Jugosllavisë ndodhi pikërisht më 28 shtator 1990, kur u miratua Kushtetuta e Serbisë, e cila praktikisht e ndau republikën e Millosheviqit nga shteti federal. Serbia me këtë akt juridik u shpall shtet i pavarur dhe sovran dhe pushoi së respektuari rendin juridik të RSFJ-së. Në fakt, Serbia ishte e para që u shkëput nga Jugosllavia, por në kaosin e përgjithshëm të asaj kohe të trazuar, ajo kaloi pa u vënë re, e errësuar nga propaganda e Millosheviqit për ruajtjen e shtetit federal, pas të cilit fshehej një plan për fillimin e luftërave dhe krijimin e Serbisë së Madhe, në të cilën ai do të ishte zot absolut.

Në atë kohë isha 14 vjeç dhe fillova klasën e tetë të shkollës fillore. Ajo që pasoi ishte shpërbërja e plotë e botës që sapo filloja ta njihja, botën e sistemit socialist që dukej e fortë dhe qëndrueshme, sikur do të zgjaste përgjithmonë. Krejt çfarë më mësuan në shkollë për tetë vjet papritmas pushoi së vlefshmi, gjithçka u shkatërrua në zjarrin dhe gjakun nga i cili doli diçka e re dhe e ndryshme, po lindte një përbindësh pakrahasueshmërisht më i tmerrshëm se përbindëshi i doktor Frankenshtajnit. Siç thoshte Radomir Konstatinoviq, filloi jeta me një përbindësh. Që zgjat edhe sot e kësaj dite, sepse monstrumi nacionalist është ende gjallë dhe mirë, sall është tërhequr në strofkën e tij për të lëpirë plagët e tij pas disa humbjeve të luftës dhe për të pritur një mundësi më të favorshme për një masakër të re.

Urrejtja, shovinizmi, dhuna, krimet, kampet e përqendrimit, gjenocidi, varfëria, shpërbërja e shoqërisë, krimi, homogjenizmi kombëtar, rehabilitimi i çetnikëve, bandat vullnetare, nxitja e luftës, bombardimet, izolimet, sanksionet, teoritë e konspiracionit, mohimi i krimit, glorifikimi i vrasësve masiv – ky është mjedisi në të cilin jam rritur. Nuk ka vend për keqardhje ndaj vetes dhe vajtim për fatin e keq, disiplina shumë të njohura në këto vende – unë ia dola mirë. Kam jetuar në një vend agresor në territorin e të cilin nuk ka pasur luftë, unë pata fat, për dallim nga shumë bashkëmoshatarë të mi nga Kroacia, Bosnja dhe Kosova që vuajtën sepse nuk ishin serbë, të cilëve ua vranë shokët dhe shoqet e shkollës, fqinjët, prindërit, kushërinjtë dhe miqtë.

Në kërkim të një shpjegimi racional

Nga fundi i jetës së tij, Srgja Popoviq kishte shkruar në fletoren e tij: “Fillimisht njeriu jeton, pastaj kupton se për çfarë ka mbijetuar në të vërtetë.“ Do të mund ta zbatoja fjalinë e tij të mençur në rastin tim, me një ndërhyrje të lehtë. Së pari djali jeton dhe më pas burri përpiqet të kuptojë se çfarë ka përjetuar në të vërtetë djali. Praktika e disa dekadave ka treguar se kjo detyrë nuk është aspak e lehtë. Kam lexuar me mijëra faqe për atë që na ka ndodhur, qindra tekste dhe analiza të jashtëzakonshme, dhjetëra libra të zgjuar, të bazuar në të cilat shpjegohet pothuajse gjithçka, e megjithatë kam përshtypjen se asgjë nuk është e qartë për mua. Për t’i bërë gjërat edhe më keq, kam shkruar të paktën disa mijëra faqe për vrasjen e RSFJ-së, nacionalizmin serbomadh, krimet e luftës, mohimet, rolin e intelektualëve dhe kishës në kundërrevolucionin nacionalist, rishikimin e historisë dhe dhjetra tema të ngjashme, dhe më mundon ende e njëjta përshtypje e tmerrit të pakuptueshëm me të cilin po ballafaqohemi me dekada.

Përshtypja ime nuk është vetëm, e ndaj me njerëz që e kanë studiuar apokalipsin tonë shumë më seriozisht, në mënyrë më gjithëpërfshirëse dhe më thellësisht. Pas dhjetëra intervistave dhe teksteve, viteve intensive në të cilat fillimisht paralajmëroi se çfarë do të ndodhte, e më pas analizoi me saktësi fundosjen e shoqërisë serbe në të keqen. Në verën e vitit 2000, Srgja Popoviq foli për miqtë me të cilët ishte shoqëruar me dekada të tëra, e të cilët kishin kaluar në anën tjetër, dhe përhapnin urrejtje, me vetëdije nxisnin luftë dhe dhunë: “Ata ma kanë ndryshuar kuptimin tim për natyrën njerëzore. Është treguar se njerëzit janë të aftë për metamorfoza që janë të paparashikueshme, se miqësitë nuk janë të besueshme, që njerëzit mund të shndërrohen në monstra në disa rrethana. Unë jam ende duke u përpjekur të kuptoj se si ndodh një gjë e tillë. Po dështoj. E di që disa donin të vërsuleshin pas pushtetit, se u magjepsën nga duartrokitjet e lira, se disa ishin të korruptuar, por prapëseprapë nuk e kuptoj atë vdekje të arsyes, të nderit, të mirësjelljes, dhembushurisë njerëzore.”

Në librin “Farkëtimi i një komploti anti-jugosllav”, pas një analize shteruese të elitës intelektuale dhe programit kombëtar serb, një kronologji e ngjarjeve nga viti 1966 deri në vitin 2006 me qindra citime, pas gati katërqind faqeve të ekspozitës më të plotë të mundshme të gjenezës së nacionalizmit serbomadh, në të cilën sqarohen të gjitha detajet, Sonja Biserko përfundon: “Një shpjegim racional për gjithçka që ka ndodhur në Serbi, jo vetëm gjatë dy dekadave të fundit, por edhe gjatë gjithë shekullit 20, nuk është i mundur. Nuk ka përgjigje racionale ndaj viktimave të panevojshme në luftërat e shekullit 20 dhe pretendimeve megalomane në Ballkan.” Sa më shumë që studioi të keqen dhe manifestimet e saj morbide, bile edhe kur zbulon shpjegimet racionale për çdo dhunë politike dhe ideologjike, gjithmonë mbetet një tepricë irracionale që nuk mund të reduktohet në kategori racionale. Gjithmonë mbetet një shqetësim i brendshëm që gjithnjë më çukit në kokë, duke përsëritur vazhdimisht të njëjtën pyetje: Si është e mundur fare kjo?

Pikërisht për këtë flet heroi i tregimit “Njeriu i shtypur” i Faruk Shehiqit: “Kur dikush të ma shpjegojë se çfarë njeriu është ai që zgjohet në një mëngjes të vitit 1992, merr pushkën nga vendi ku e kishte fshehur, var flamurin serb me katër S mbi pragun e derës dhe shkon te fqinji i parë, e përzë nga shtëpia dhe e nxjerrë në baltë, e detyron të bjerë në gjunjë, nxjerr bajonetën dhe ther një qenie njerëzore, fqinjin, kumbarën, mikun e vjetër; kur dikush ma shpjegon këtë vaki në mënyrë racionale, dhe e zbërthen në grupe të thjeshta, do të jetë më e lehtë për të jetuar. Nuk mendoj se ka ndonjë përgjigje të tillë. Shkenca bashkëkohore, parapsikologjia, religjioni, metempsikoza, askush dhe asgjë nuk ka një formulë magjike për të zgjidhur çështjen me të cilën të gjithë do të përfundojmë nën dhe.”

Takimi me të keqen

Të gjithë e kemi përjetuar atë që Josif Brodski e përshkruan në fjalimin e tij për të diplomuarit e Kolegjit Williams si “një takim me të Keqen”. Një shprehje lakonike, e thjeshtë për diçka që do të përpiqemi ta kuptojmë gjatë gjithë jetës. Në një rast tjetër, Brodski e përshkroi sistemin stalinist me shprehjen “katastrofë antropologjike”, e cila është e zbatueshme edhe për rastin tonë. Sintagma në fjalë mund të përdoret edhe për emrin zyrtar të rendit tonë shoqëror. Unë nuk jetoj në demokraci, as në diktaturë dhe as në stabilokraci, por në – katastrofë antropologjike. Nga të gjithë përcaktuesit për këtë rend anomik, amorf, kjo më tingëllon më e sakta.

Historia apo ndonjë forcë tjetër e personifikuar e botës së poshtme tek paraardhësi im i largët para tridhjetë vjetësh, e atij djali që është zhdukur diku në ndërkohë – ia ka përgatitur takimin me të keqen. Disa dekada më vonë, njeriu që “me atë djalë” – siç tha Zbignjev Herbert për veten e tij të hershme – “nuk ka asgjë të përbashkët përveç datës së lindjes dhe vijës papilare”, përpiqet ta përkthejë atë përvojë të mitur në disa nocione, që të kuptojë se çfarë ka ndodhur, sepse ndërkohë, ai ka fituar një aparat njohës dhe analitik që djali i hutuar nuk e ka poseduar.

Është lehtë për njeriun t’i çmontojë marrëzitë nacionaliste të Dobrica Qosiqit apo të Jevrem Beqkoviqit, t’i kthejë me kokë poshtë frazat e tyre shoviniste për “zhvendosjen humane” dhe për “fjalën më të shtrenjtë serbe”, por e ka vështirë të merret me përvojat e atij djalit të dikurshëm. Sepse as Qosiq as Beqkoviq nuk bënin lista të tradhtarëve në dhjetor të vitit 1990 që nuk votuan për Partinë Socialiste të Serbisë të Millosheviqit, lista për pushkatim në të cilat ishin edhe prindërit e atij djali. Këtë e bënin fqinjët e tij, bashkëpunëtorët lokalë të UDB-së, ndoshta për një apanazh të denjë, ndoshta vullnetarisht, entuziazmi patriotik i atyre viteve euforike ishte i fortë, dhe përsa u përket denoncuesve ata asnjëherë nuk kanë munguar.

Një i ri që e mësoi djalin të luante shah, i zbuloi atij mbrojtjen siciliane, lojën italiane dhe Gambitin e Mbretëreshës – në fillim të luftës u bë vullnetar i Vojisllav Sheshelit, ushtar në një lojë ku të fuqishmit luanin me kokat e njerëzve. Kur u kthye nga fushëbeteja e Sllavonisë, i dehur dhe me nerva të shkatërruara, i tregonte djalit se si duket kur pastron terrenin, hedh një bombë në shtëpi dhe pastaj shikon se si zorrët e fëmijëve fluturojnë në ajër. Djali e dëgjonte i tmerruar dhe me mosbesim, nuk ia rrokte truri sesi ai i riu i qetë dhe paqësor me të cilin deri dje kishte kaluar pasditet në tabelën e shahut, u shndërrua papritur në diçka monstruoze. I dukej se shahisti po e tepronte dhe po trillonte. Disa muaj më vonë, shahisti ia mori jetën vetes. Ai u vetëvar në një tra në tavanin e shtëpisë së tij të lindjes.

Ata që e inkurajuan të shkonte në luftë, edhe sot e kësaj dite janë gjallë, të shëndetshëm, të fortë dhe të pasur. Deri vonë njëri prej tyre ka qenë deputet, i dyti tash ish, ndërsa i treti është president aktual i Serbisë. Njeriu që ndan datën e lindjes dhe gjurmët e gishtërinjve me djalin në bibliotekën e shtëpisë ende i ka librat që shahisti ia ka dhuruar, biografitë e kryemjeshtërve dhe kampionëve të shahut Anatolij Karpovit dhe Raul Kazablankës. Edhe sot ai nuk e di nëse shahisti po thoshte të vërtetën apo po mburrej morbidisht për bëmat e rreme të luftës. Është e vështirë të besosh që dikush me të cilin je rritur është bërë kriminel.

Djali u rrit, tashmë ishte i ri kur u bë lufta në Kosovë. Në atë luftë ka marrë pjesë edhe kushëriri i djalit si nënoficer në Ushtrinë Jugosllave. Pas kthimit, ai nuk donte të thoshte asgjë për luftën e tij të lavdishme. Megjithatë, një mbrëmje vere, alkooli e bëri të veten dhe kushëriri çeli pak shpirtin dhe e hapi pakëz shpirtin e ushtarit. Ai foli në ekstazë pasionante se si nuk ka asgjë në botë që mund të krahasohet me të shijuarit e luftës, nuk ka asgjë më të bukur dhe as më emocionuese sesa të luftosh, të gjuash, të përballesh me armikun. Atij vetëm i vjen keq që jetojmë në epokën moderne me armë që detyrojnë distancën mes ushtrive kundërshtare, ai vuan dhe ka mall për kohërat e mesjetës, Betejën e Kosovës, kur duhej të përplaseshe me armikun gjoks më gjoks, me thika, me kordha dhe duarthatë. Ai do të donte të ulej në një makinë kohe, të kthehej në të kaluarën dhe të kacafytej me turqit, të ndjejë dehjen nga lufta e vërtetë, të ndjejë kënaqësinë dhe gëzimin më të madh që ekziston në tokë.

Ish-djalit iu kujtua Dimitrij Karamazov, i cili kishte parë humnera të ngjashme të shpirtit njerëzor dhe tha: “Një njeri është shumë i gjerë, zotërinj, bile shumë i gjerë. Unë do ta ngushtoja!” Dhe duke qenë se ky është një mision i pamundur, atëherë gjithçka që duhet të bëjmë është të zgjerojmë të kuptuarit tonë për natyrën njerëzore. Shumë vite më vonë e lexova “Oklevetani rat” të Milosh Crnjanskit, në të cilin qëndron edhe kjo fjali: “Megjithatë, ata që ishin në luftë dhe ishin shtrirë në mesin e të vdekurve e dinë se lufta është madhështore dhe se nuk ka moment më të lartë, dhe as që ka pasur ndonjëherë, në jetën e njeriut, sesa pjesëmarrja e të vetëdijshmit në betejë”. Më dukej disi e njohur, sikur të ishim takuar tashmë diku,

Zgjidhja e llogarive

Në vitet e formimit, takimi me të keqen radikale që shkatërron gjithçka para vetes, përcakton në mënyrë të pashmangshme edhe kuptimin e natyrës njerëzore, e cila e gjen zanafillën te pesimizmi antropologjik. Një pozicion i tillë nuk ka të bëjë fare me prirjet ideologjike, por ka lindur nga një përvojë traumatike, goxha konkrete dhe ekstreme. Kam parë me sytë e mi sesi njerëzit brenda natës shndërrohen në njeringrënës, sesi bota e sjellshme, baballarët e familjeve, qytetarët e respektuar që nuk i kanë shkelur milingonat deri atëherë, bëhen gjakatarë duke bërë thirrje për përballje vendimtare me “ustashë”, “balitë” dhe “shiptarët”, etnitete të çuditshme për të cilat ata kanë një ide të paqartë, sepse gati kurrë nuk i kanë parë në jetën e tyre. Mungesa e empirizmit nuk i ka penguar ata të propagandonin çrrënjosjen e qenieve të tjera njerëzore, sepse propaganda e Millosheviqit i përcaktoi ata si armiq.

Nuk ka marrëzi të cilën njerëzit nuk do ta besojnë, vetëm nëse ndonjë autoritet e thotë atë disa herë. Për shembull, ata do t’ju bindin me qetësi se Serbia nuk është në luftë, ndërsa fqinjët dhe të afërmit e tyre do t’i çojnë në fushën e betejës. Ose se në Srebrenicë nuk u krye gjenocid, se bëhej fjalë për hakmarrje ndaj ushtarëve, edhe pse ata panë në televizor një video-incizim të “Shkorpionëve” duke vrarë fëmijë në Potoçari, duke u shfryrë në mënyrë monstruoze mbi ta. Siç tha Nadezhda Mandelshtajm, ne e gjetëm veten “në mesin e njerëzve që me vetëdije hoqën dorë nga e mira dhe filluan me gjithë zemër të inkurajojnë instinktet më monstruoze në veten e tyre dhe te bashkëkombësit e tyre”. Doli se instinkteve në fjalë nuk u duhet edhe aq shumë për t’u zgjuar, ato janë forca të ndjeshme mendore, të ndjeshme ndaj stimulimit më të butë të penës së shkrimtarit agjitativ.

Kam parë fytyrën më të keqe të racës njerëzore, të shfytyruar nga urrejtja, të përgjakshme dhe dashakeqe, të fëlliqur dhe të poshtër. Nuk do të doja të përgjithësoja, por nuk mund t’i shpëtoj përfundimeve të nxjerra nga përvoja e të jetuarit në një shoqëri që vullnetarisht ia ka mësyer rrugës së rrënimit dhe shkatërrimit, sikur i gjithë komuniteti të kishte vendosur të vetëvritej dhe të merrte me vete këdo që ndodh afër. Përfundimet janë shkretuese, është e vështirë të jetosh me to, por duhen të shkruhen. Njerëzit nuk janë as të arsyeshëm as njerëzor, njerëzit janë qenie krejtësisht të çmendura, të praptë, mizor, të këqij dhe të pistë. Nuk ka asnjë tmerr, vrazhdësi, torturë, keqtrajtim që njeriu nuk do t’ia bënte tjetrit, dhe këtë do ta bënte pa kurrfarë arsye, vetëm sepse mundet. Nëse rritja dhe pjekuria në një katastrofë antropologjike na ka mësuar diçka, ajo është se njeriu është rrënjësisht i keq. Pikërisht në të njëjtin përfundim doli edhe Josif Brodski, i cili gjithashtu ishte formuar në rendin shoqëror të përmendur dhe kishte jetuar në të derisa e dëbuan.

Përfundimi shkatërrues, krejt në frymën e pesimizmit antropologjik, në pamje të parë frymon me fatalizëm, por kjo është vetëm një iluzion. Sepse njeriu nuk është rrënjësisht i keq për shkak se ai është i tillë në thelbin e tij, por sepse ai lirisht zgjodhi t’i lëshojë nga zinxhirët instinktet e tij monstruoze. Nëse e pranojmë njohjen se njeriu është rrënjësisht i keq, pra se është i aftë për të keqen më të tmerrshme, madje mund të ndërtohet diçka mbi të. Pranimi i një ideje të tillë, le të themi, mund të jetë hapi i parë drejt ndërgjegjësimit të Serbisë, drejt përballjes me krimin e kryer në emrin tonë. Është më afër të vërtetës, më modeste dhe më pak e rrezikshme të besosh se jemi kriminelë të mundshëm sesa se jemi engjëj qiellorë.

Në rastin e parë, ne do të ndërtojmë një shoqëri mbi idenë se duhet t’i mbrojmë të tjerët nga e keqja jonë. Mendoj se në këtë bazohet çdo rend ligjor. Për çfarë tjetër shërbejnë ligjet? Rasti i kundërt, kur besojmë se jemi qenie sublime, mbinjerëz, pjesëtarë të popullit qiellor – ne e dimë se ku të çon e gjithë kjo. Drejt në dhunë, krim, gjenocid dhe fashizëm. Ky është i vetmi mësim që kam nxjerrë nga rrëmuja e përgjithshme, e vetmja fije shprese në errësirën e mpiksur. Nodshta është mirë që ai djali u zhduk pa lënë gjurmë, ndaj nuk mund t’i them se deri në çfarë njohurie arrita, se në çfarë më çoi përvoja e tij e dhimbshme. Me sa e njoh unë, ai do të tundte kokën me përbuzje për të gjithë këtë dhe do t’i shpallte këto peshimet e mia rreth çdo gjëje si ngushëllim të rremë të një mesoburri që përpiqet të bëjë një pakt me botën. Nëse kujtesa ime çorientuese nuk më mashtron, ai ishte një kundërshtar i betuar i çdo bashkëpunimi me strukturën e vrentjur të universit.

 

 

Exit mobile version