Ministri francez i Financave ka bërë thirrje për një debat publik mbi Bitcoin në Samitin e G20-së që do të mbahet vitin e ardhshëm në kryeqytetin e Argjentinës, Buenos Aires.
Duke folur në kanalin francez të lajmeve LCI, shkruan Reuters, Bruno Le Maire tha se çështja Bitcoin duhet të jetë një temë në forumin ndërkombëtar të qeverive, veçanërisht në lidhje me rregullimin e saj.
“Unë do t’i propozoj presidencës së ardhshme të G20-së, e cila do të mbahet në muajin prill [të vitit 2018] ta kemi në diskutim për çështjen e Bitcoin. Padyshim ekziston rreziku i spekulimeve. Ne duhet ta shqyrtojmë këtë dhe të shohim se si… me të gjithë anëtarët e tjerë të G20-së mund të rregullojmë Bitcoinin”, thotë Le Maire.
Rritja e ndjeshme e çmimeve të Bitcoin ka tërhequr gjithnjë e më shumë vëmendjen, jo vetëm në mediat kryesore, por edhe nga autoritetet qeveritare në të gjithë botën. Megjithatë, qeveritë e shteteve në nivel global po i afrohen gjithnjë e më shumë kriptovalutave dhe teknologjive të tyre, përcjell Telegrafi.
Disa nga vendet që tashmë kanë rregulluar kriptovalutat janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Japonia. Deri më tani, vetëm disa shtete e kanë ndaluar në mënyrë të plotë kriptovalutën.
Javën e kaluar, Guvernatori i Bankës së Kanadasë, Stephen S. Poloz, tregoi se si “zhurma” rreth kriptovalutave “e mban atë zgjuar gjatë natës”, ndërsa një rregullator tjetër tha se “ndikimi” i Bitcoin në politikën e ekonomisë globale pothuajse ishte i ndjeshëm.
Duke nënvizuar mungesën e konsensusit global të kriptovalutave, Guvernatori i Bankës së Francës, Francois Villeroy de Galhau, kundërshtoi nocionin se Bitcoin është një monedhë dhe se nuk duhet të trajtohet si një e tillë.
“Duhet të jemi të qartë: Bitcoin nuk është në asnjë mënyrë një monedhë, madje as një kriptovalutë, është një pasuri spekulative. Vlera e saj dhe paqëndrueshmëria ekstreme nuk kanë bazë ekonomike dhe nuk janë përgjegjësi e askujt”, kishte thënë ai në një konferencë në Pekin muajin e kaluar. /Telegrafi/