Vladimir Putin tani është në muajin e katërt në mandatin e tij të pestë si president rus dhe nuk tregon shenja se do të largohet nga posti.
Por, kur udhëheqësi i Kremlinit zgjedh përfundimisht një pasardhës, Instituti i Studimit të Luftës (ISW) thotë se ai person ka të ngjarë të ketë të njëjtat pikëpamje si Putini.
Instituti deklaroi në përditësimin e tij të fundit se rrethi i brendshëm i Putinit dhe qeveria ruse “kanë deklaruar publikisht aversionin e tyre ndaj negociatave të paqes me Ukrainën me kushte të tjera përveç kapitullimit”, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
“Pasardhësi i Putinit ka shumë më tepër gjasa të mbajë pikëpamje të tilla sesa t’i refuzojë ato”, tha ISW.
“Kremlini ka kaluar vite duke mohuar ekzistencën e një kombi ukrainas dhe duke delegjitimuar sovranitetin ukrainas dhe kjo përpjekje ka pasur ndikime të përhapura dhe të mundshme afatgjata në shoqërinë ruse dhe opinionin elitar”, shtoi instituti.
Jo vetëm kaq, ISW tha gjithashtu se nga çdo armëpushim i negociuar “do të përfitojë vetëm Rusia dhe do t’i japë kohë Kremlinit për të radikalizuar dhe militarizuar më tej shoqërinë ruse kundër Ukrainës dhe kohë ushtarake ruse për të pushuar dhe rindërtuar, me gjasë përpara se të kryejë një sulm të ardhshëm në Ukrainë”. /Telegrafi/