Telegrafi

Të infektuarit nga Gjilani e Obiliqi, punonjës shëndetësorë në Prishtinë

Tetë raste të reja me COVID-19, janë regjistruar të shtunën në vendin tonë, dy prej tyre janë punonjës shëndetësore në Prishtinë.

Lajmi është bërë i ditur nga kryetarët e Gjilanit dhe të Obiliqit.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se rasti i punonjëses nga Gjilani, që punon në një spital privat në Prishtinë, është rast i izoluar dhe “Qendra Rajonale e Shëndetit Publik dhe emergjencat civile e kanë nën mbikëqyrje”.

Lexo po ashtu Konfirmohen tetë raste me COVID-19 dhe 31 të shëruar në Kosovë

“IKSHP na njoftoi për një rast të ri me #Covid19 në Gjilan. Bëhet fjalë për një punonjëse në një spital privat në Prishtinë. Rasti është i izoluar dhe Qendra Rajonale e Shëndetit Publik dhe emergjencat civile e kanë nën mbikëqyrje”, ka shkruar ai në Facebook.

Edhe kreu i Obiliqit, Xhafer Gashi, ka thënë se rasti nga kjo komunë është punonjës shëndetësor në një klinikë private në kryeqytet.

Lexo po ashtu ​Tri rastet e reja në Prishtinë janë familjarë të rastit të djeshëm - Ahmeti: Të bëjmë kujdes që mos të kthehen masat e rrepta

“Sipas informatave të marra nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, në Obiliq kemi një rast pozitiv me Covid-19, rasti në fjalë është rast kontakti dhe sipas informatave është punonjës shëndetësor në një klinikë private në Prishtinë. Ekipet e QKMF-së, po qëndrojnë në kontakt me IKSHPK-në dhe me familjarët e të infektuarit”, thuhet në një komunikatë të komunës së Obiliqit. “Nuk ka nevojë për panik, ju bëjë thirrje shumë të sinqertë që të respektoni me përpikëri të gjitha rregullat e institucioneve shëndetësore, të vazhdoni të qëndroni në shtëpi edhe përkundër motit të mirë, evitoni daljet e shpeshta në mënyrë që të tejkalojmë këtë sfidë”, ka thënë Gashi.

Nuk dihet nëse të dy janë punonjës të të njëjtit spital privat.