Në qelinë e burgut ku qëndron në paraburgim Igor Jug, nuk është gjetur telefon celular, vërteton për Tv 24 drejtori i burgut në Shuto Orizare, Aleksandar Naumovski. Sot janë kryer kontrolle dhe është hulumtuar nëse Jug i ka dërguar porositë me kërcënime ndaj Nikolla Gruevskit prej prapa grilave dhe a e ka furnizuar dikush me telefon celular, përcjell Telegrafi Maqedoni. Njëkohësisht rasti hetohet edhe nga Prokuroria edhe nga policia.
Besohet se ndoshta dikush tjetër i ka dërguar porositë në emër të Igor Jugut nga profili i tij i facebook. Mbrëmë, në orët e vona, Jug e paralajmëroi Gruevskin se i pret 5 minutat e tij për t’i kthyer të keqen që ja ka bërë Gruevski atij dhe personave tjerë pjesëmarrës në ngjarjet e përgjakshme të 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë.
“Faleminderit që më bëne kurth më 27 prill, falemnderit që na quajte dhunues. Tani le të vrapojnë Betmen dhe banda e tij për ty, nëse edhe ata nuk të ikin si drejtorët që i solle nga LSDM, PLD dhe PS. Por unë do ta kthej, së paku 5 minuta, që ta shijosh atë që ti na bëre, mua dhe të tjerëve, që na tradhtove”, shkruante në profilin e Igor Jug./Telegrafi/