Hapja e fazës së parë të Aeroportit të Ri të Stambollit do të bëhet më 29 tetor, Ditën e Republikës në Turqi, që paraqet ditën kur vendi u shpall republikë në vitin 1923.
Sipas të dhënave nga AA, në ceremoninë e hapjes do të marrin mysafirë të shumtë të huaj, në mesin e të cilëve gjenden edhe krerë shtetesh dhe qeverish, si dhe ministra të transportit. Deri më tani, siç njoftohet, mbi 50 zyrtarë të lartë kanë konfirmuar pjesëmarrjen, ndërkohë që ceremonia do të ndiqet në mbarë botën.
Ceremonia e hapjes së fazës së parë, gjatë së cilës do të shërbehen 90 milionë pasagjerë në vit, do të fillojë në orën 16:00 sipas kohës lokale, me një koncert të Orkestrës Simfonike të Presidencës së Turqisë.
Aeroporti është ndërtuar në një hapësirë prej 76.5 milionë metra katrorë, ndërsa për hapjen e fazës së parë janë investuar gjashtë miliardë euro.
Ndërkaq, faza e dytë pritet të përfundojë deri në vitin 2023. Për ndërtimin e aeroportit, i cili do të jetë më i madhi në botë, janë angazhuar rreth dhjetë mijë njerëz.
Pas përfundimit të punëve, aeroporti do të përbëhet nga gjashtë pista të ndara me një kapacitet për 500 avionë, parking të hapur dhe të mbyllur me kapacitet për 70 mijë automjete dhe në vit do të shërbejë rreth 200 milionë pasagjerë. /AA /Telegrafi/