Telegrafi

“Të gjithë lojtarët e meritojnë formacionin bazë”

Migjen Basha është titullar në dy ndeshjet e fundit të Kombëtares.

Me skuadrën që në momente të caktuara të lojës vuajti lojën e kundërshtarëve dhe në organizim, mesfushori 29-vjeçar nënvijëzoi se testi në Hartberg ishte mjaft i vlefshëm.

“Është e rëndësishme që fituam. Një rezultat pozitiv është shumë i rëndësishëm për ne. Gjithsesi nuk duhet të jemi shumë entuziastë, pasi niveli i kundërshtarëve nuk ishte më i miri. Edhe pse nuk u paraqitëm shumë mirë në fushë, kjo fitore ishte e vlefshme për punën që kemi bërë”.

“Duhet të vazhdojmë të punojmë si deri më tani. Kemi bërë një punë të madhe, por kemi bërë edhe disa gabime si në rastin e golit të parë. Kemi edhe pak kohë përpara ndeshjes me Zvicrën dhe duhet të përgatitemi që të jemi sa më të përqendruar në atë ndeshje.

“Unë titullar? Nuk e di çfarë mendon De Biasi. Të 23 lojtarët që do të përzgjidhen e meritojnë të luajnë titullarë. Por, më i rëndësishëm është grupi dhe duhet të mendojmë të bëjmë më të mirën për Kombëtaren dhe jo më të mirën e Bashës apo dikujt tjetër”.

“Është e vërtetë që janë të shumtë ata që më kanë thënë kujdes kundër Zvicrës. Por, në atë ndeshje ne mendojmë për tre pikët. Ndeshje speciale për mua? Zvicra në aspektin futbollistik më ka dhënë shumë mua dhe lojtarëve të tjerë në Kombëtare”.

“Por, ajo ka kaluar dhe unë mendoj vetëm për Shqipërinë. Nuk mendoj aspak për rivalët si Zvicra apo Franca. Humbja e Zvicrës në miqësore nuk më bën përshtypje, ata kanë lojtarë shumë të fort dhe një skuadër me nivel shumë të lartë. Ne duhet të mendojmë për më të mirën tonë. Nuk ka rëndësi çfarë bën Zvicra, por ajo që bëjmë ne. Nëse jemi të përqendruar dhe japim maksimumin mund të vëmë çdo ekip në vështirësi”, deklaroi Basha pas ndeshjes. /Telegrafi/