Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar se të gjithë lojtarët e Përfaqësueses dhe stafi teknik kanë rezultuar negativ në testet për COVID-19.
“Dardanët” do të udhëtojnë për në Parma të Italisë, për t’u takuar me Moldavinë më 3 shtator (nesër) në kuadër të Ligës së Kombeve.
Ky është një lajm fantastik për Kosovën, që do të ketë një lehtësi pas testimeve të bëra.
Kujtojmë se tri ditë më vonë (6 shtator), Përfaqësuesja jonë do të luajë me Greqinë në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Njoftimi i plotë nga FFK:
Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin dhe mediat se gjatë ditës së djeshme futbollistët dhe stafi i Kombëtares, por edhe zyrtarët e FFK-së që do të udhëtojnë në Itali i kanë kryer testet PCR në laboratorin e licencuar të UEFA-s dhe fatmirësisht të gjithë kanë rezultuar negativ në Covid-19. Kësisoj, ekspedita e Dardanëve sot do të udhëtojë e kompletuar për në Parma të Italisë. /Telegrafi/