Site icon Telegrafi

Të gjithë duan punësim në sektorin publik

Me gjithë faktin se sektori privat konsiderohet promotor i zhvillimit ekonomik dhe mundësi për krijimin e më shumë vendeve të reja të punës, të rinjtë më tepër dëshirojnë punësim në sektorin publik, apo siç shprehen ata, në punë të shtetit.

Arsyeja kryesore e dëshirës për punësim në këtë sektor, sipas tyre, është se ky sektor vazhdimisht favorizohet nga Qeveria, pagat janë më të larta, kontratat më të sigurta, kushtet për punë më komode, nuk punohet ditëve të vikendit, por as për festat zyrtare.

Burim Gashi ka përfunduar studimet në Fakultetin Filozofik. Për të siguruar një vend pune, ai thotë se në vazhdimësi përcjell konkurset në institucionet publike, konkretisht në ndërmarrjet publike.

Burimi, ndërkaq, nuk është i interesuar që të shikojë mundësinë e punësimit në sektorin privat, për shkak, siç thotë ai, puna në këtë sektor nuk është e sigurt.

“Jam i interesuar të punoj në sektorin publik, sepse në sektorin privat nuk respektohet orari i punës, punohet më shumë se 40 orë javë, paga është më e vogël, madje nuk jepet me kohë”.

“Ndërkaq, në sektorin publik, punë ka më pak edhe ajo çka është kryesorja në sektorin publik, pronari nuk të largon nga puna kurdo që i teket, siç ndodh në sektorin privat”, thotë Gashi.

Arsye e interesimit që të rinjtë me çdo kusht dëshirojnë punësimin në sektorin publik, është zbatimi i ligjeve dhe sigurisë që kanë në punë, thonë udhëheqës të Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK).

Avni Ajdini, kryetar në SBASHK, thotë se një pjesë të fajit për këtë e bartin të gjitha qeveritë e deritashme. Kjo pasi, sipas tij, elita politike ka krijuar një perceptim në shoqërinë e përgjithshme se duke qenë i punësuar në institucionet qeveritare, arrin më lehtë të pasurohesh.

“Madje, nepotizmi ka ndikuar në këtë drejtim. Për një vend pune në institucionet publike pranohen tre persona. Nuk e përjashtoj asnjë qeveri, sepse të gjitha qeveritë kanë vepruar në këtë formë.Të gjithë të afërmit e qeveritarëve janë në marrëdhënie pune, pavarësisht se a ka pasur nevojë për atë vend pune apo jo”, thotë Ajdini.

Përfaqësues të shoqërisë civile e konsiderojnë të gabuar orientimin e të rinjve në sektorin publik, pasi, sipas tyre, të rinjtë po planifikojnë karrierën e tyre në funksion të dëshirës dhe jo duke analizuar mundësitë reale që ofron tregu.

Jeton Zulfaj nga organizata joqeveritare “Fol” ka thënë se sektori privat e ka shfrytëzuar shkallën e lartë të papunësisë duke mos krijuar kushte për punë, pasi procesi i zëvendësimit më punëtorë është shumë i lehtë.

“Arsyeja kryesore është që të nënshkruhet kontrata në sektorin publik, vetëm për shkak të qëndrueshmërisë. Mirëpo, në aspektin e karrierës mendoj se nuk ka shumë përfitim. Mendoj se puna është më shumë sfiduese në sektorin privat, me gjithë ato elementet negative, kurse në sektorin publik nuk ka shumë zhvillim të aftësive dhe karrierës për të ardhmen”, thotë Zulfaj për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i të punësuarve në vitin 2016 ka qenë mbi 330 mijë, nga ky numër në sektorin publik janë të punësuar rreth 82 mijë.

Kurse, rreth 240 mijë qytetarë të tjerë llogaritet që punojnë në sektorin privat.

Paga mesatare bruto në sektorin publik në vitin 2016 sipas të dhënave zyrtare ishte 525 euro, kurse në sektori privat gjatë kësaj periudhe ka qenë 371 euro.

Por, ka më shumë se gjashtë vjet që paga minimale vazhdon të mbetet e “ngrirë” në 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35-vjeç, dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35-vjeç.

Exit mobile version