Khvicha Kvaratskhelia është zbulimi i këtij sezoni jo vetëm në Serie A, por në gjithë kampionatet evropiane.
Sulmuesi gjeorgjian në vitin e tij të parë ka shkëlqyer me Napolin dhe është më meritori që skuadra e Luciano Spallettit ndodhet në krye të Serie A.
22-vjeçari në 23 ndeshje zyrtare ka shënuar 11 gola e ka asistuar në 14 të tjerë dhe numrat e jashtëzakonshëm kanë bërë që edhe Real Madridi të interesohet për të.
Por përveç klubit mbretëror interesim për të kanë shprehur edhe skuadrat tjera të mëdha si Manchester City, Liverpool, PSG apo Bayern Munich.
Megjithatë Napoli po mundohet ta blindoj yllin e tyre duke i ofruar një kontratë të re me rritje të ndjeshme të pagës.
Sipas Corriere dello Sport përfaqësuesit e Napolit kanë zhvilluar një takim me agjentin e gjeorgjianit për të folur mbi kushtet e një rinovimi kontrate.
Napoli është i gatshëm t’ia dyfishojë pagën lojtarit nga Gjeorgjia, nga 1,4 milionë euro që fiton ai aktualisht në 3,8 milionë euro në sezon, plus bonuset që mund të fitoj ai.
Oferta e re e Napolit duket shumë tërheqëse për lojtarin dhe gazeta italiane ka raportuar se mund të ketë një marrëveshje për kontratë të re deri në vitin 2028. /Telegrafi/