Pasditja e së mërkurës ka qenë fatale për dhjetëra udhëtarë të linjës Shkup-Tetovë.
Katërmbëdhjetë persona humbën jetën, gjersa mbi 30 të tjerë mbetën të lënduar nga një aksident tragjik me autobus.
Ngjarja ka trishtuar të gjithë qytetarët e Maqedonisë, në veçanti komunitetin shqiptar, pasi shumica e udhëtarëve në autobus ishin shqiptarë.
Për viktimat kanë shprehur ngushëllime edhe shumë prej këngëtarëve të estradës, të cilët kanë thënë se kanë ngelur të trazuar nga kjo ngjarje.
Telegrafi ju sjell në vazhdim disa prej tyre
Big Mama
Këngëtarja e njohur Big Mama, publikoi një fotografi të shiritit të zi në rrjetin social Instagram. duke treguar solidarizimin e saj me të lënduarit dhe viktimat nga kjo ngjarje tragjike.
“Nuk kam fjalë për të ngushëlluar me dridhet trupi për tragjedinë që dëgjova .Ngushëllime familjarēve që humbên të dashurit e tyre sot ne aksidentin tragjik në autostraden Shkup-Tetove. Shërim te shpejt të lënduarve. Lutjet tona qofshin me familjet që u prekën nga kjo tragjedi”, ka shkruar këngëtarja e njohur.
Gold AG
Edhe reperi Gold AG komentoi ngjarjen në djalë, duke publikuar një fotografi në rrjetin social Instagram, ku shfaqte një pamje nga aksidenti, gjersa shkruante ngushëllimet më të sinqerta në mbishkrimin e saj.
“O Zot fali dhe mëshiroj vëllezërit e motrat tona që ndërruan jetë në aksidentin e sotëm në rrugën Shkup-Tetovë,lehtësoja dhimbjen familjarëve ndërsa atyre që pësuan lëndime shëroj o Zoti im ”, ka shkruar Gold AG në Instagram.
Sidrit Bejleri
Këngëtari shumë i dashur për publikun, Sidrit Bejleri, bëri një shkrim në një fotografi të publikuar në Instagram, duke bërë lutje për personat që humbën jetën në këtë aksident.
“Zoti i mëshiroftë vëllezërit dhe motrat tona që ndërruan jetë në aksidentin e sotëm! Zoti ia lehtësoftë dhimbjen familjarëve ndërsa të plagosurit, Zoti i shëroftë! Amin”, ka shkruar Bejleri.
Xhevdet Jashari
Aktori i njohur shqiptar, Xhevdet Jashari, i njohur për publikun më shumë si ‘Arifhikmeti’ i serialit “O Sa Mirë”, gjithashtu publikoi një fotografi të shiritit të zi në Instagram.
“Rëndë, shumë rëndë”, shkruante ai në mbishkrimin e saj. /Telegrafi/