Telegrafi

Të famshmit që nuk janë aspak të interesuar për kompjuterët, rrjetet sociale apo internetin (Foto)

Derisa pjesa më e madhe e yjeve të njohura janë shumë aktivë në rrjetet sociale, disa sosh pëlqejnë të qëndrojnë jashtë tyre.

Madje, disa prej tyre nuk duan të kenë të bëjnë aspak me teknologjinë. Më poshtë, Telegrafi jua sjell një grup të famshmish, të cilëve u pëlqen jeta e thjeshtë.

Christopher Walken

Në një intervistë për Newsweek, aktori ka thënë se vazhdimisht debaton me gruan e tij se duhet ta përdorë internetin. “Mund t’i bësh të gjitha ato gjëra mazohiste (me kompjuter). Unë asnjëherë nuk e kam pasur këtë tundim”, është shprehur 73-vjeçari. Ai madje nuk mban as telefon. Sa herë që xhiron një film, producentët ia japin një telefon vetëm për periudhën e xhirimeve, ndërsa pasi përfundojnë ato, ai e kthen.

Winona Ryder

Ajo ka thënë se kurrë nuk e shfrytëzon internetin, madje aktorja ka treguar se asnjëherë nuk e përdor as kompjuterin. “E kam ‘e-mailin’ tim në BlackBerry dhe kjo është e gjitha. Kurrë nuk kam lexuar ndonjë blog”, ka treguar Winona në vitin 2010. Tash kur BlackBerry nuk funksionon, a thua se çfarë shfrytëzon ajo për të komunikuar me njerëzit.

Angelina Jolie

Në vitin 2011, Angelina Jolie tha për USA Today se e kishte hapur për herë të parë faqen Amazon.com dhe ishte tronditur nga të gjitha opsionet. “Po qëndroj me katalogët”, ishte shprehur asokohe aktorja. Disa vite më parë, ajo kishte pranuar se nuk e di si lëshohet kompjuteri.

Brad Pitt

As burri i Joliet nuk është më i mirë në këtë aspekt. Pos që nuk është pjesë e rrjeteve sociale, aktori ka thënë se nuk e ka idenë se si funksionon kompjuteri dhe nuk dëshiron të participojë në atë që e quan “makinë publiciteti”.

George Clooney

Miku i Pitt, George Clooney, është një kundërshtar i madh i Facebookut dhe Twitterit. “Më mirë do të bëja një ekzaminim rektal drejtpërdrejtë në televizion nga dikush me duar të ftohta, sesa të hapja një faqe në Facebook”, ka thënë për rrjetin më të madh social. Ndërsa sa i përket Twitterit, është shprehur: “Mendoj se kushdo që është i famshëm, është i prapambetur nëse ndodhet në Twitter”.

Rachel McAdams

Në vitin 2009, Rachel McAdams kishte pranuar se është duke jetuar “në vitet e errëta”, sepse i dëgjon lajmet në radio, nuk ka televizor dhe nuk di ta hapë ‘e-mailin’.

Eminem

Eminem ka arsye të forta pse nuk e përdor kompjuterin. “Këto janë arsyet pse nuk di të punoj me kompjuter. Nëse mësoj si, atëherë do të qëndroj aty gjatë gjithë kohës duke i shikuar komentet për mua dhe do të çmendem”, ka thënë reperi. Megjithatë, ai i është bashkuar Twitterit në vitin 2009, por deri më tani ka bërë vetëm 615 ‘cicërima’ dhe me gjasë ato i ka publikuar dikush tjetër.

/Telegrafi/