Real Madridi mbrëmjen e së shtunës u rikthye tek fitoret duke triumfuar me rezultat 2-0 ndaj Villarrealit në ‘Santiago Bernabeu’.
Për t’i dhënë tri pikë madrilenëve në këtë sfidë u përkujdesën Federico Valverde dhe Vinicius Junior që gjetën rrugën e rrjetës.
Sidoqoftë, kjo fitore pati një shije të hidhur për ‘Los Blancos’ për shkak të lëndimit të rëndë që pësoi Dani Carvajal.
Kapiteni i Real Madridit në çastet e fundit të takimit pësoi një lëndim të tmerrshëm që më pas u konfirmua se ishte këputje e ligamentit ACL si dhe tri thyerje të tjera.
Ky lëndim i cili ka prekur shumë futbollist gjatë këtij viti, besohet se do ta lë veteranin spanjoll për tetë deri në dhjetë muaj.
Reagimet ishin të shumta pas këtij lëndimi me shumë futbollistë që treguan mbështetjen e tyre për Carvajal.
Një të tillë e dha edhe ish-lojtari i Real Madridit, Joselu, njëherazi edhe kunati i Carvajalit i cili deklaroi se do të preferonte që ky lëndim t’i kishte ndodhur atij.
“Po shkruaj me lot dhe me ndjenjën se do të doja që kjo të më kishte ndodhur mua. Tani kemi një rrugë përpara dhe unë e di që t’i do të ecësh me shumë besim, njësoj siç bën gjithmonë. Të dua vëlla, gjithmonë me ty”, ka shkruar Joselu./Telegrafi/