Policia kufitare në Aeroportin e Tiranës ka arrestuar me qëllim ekstradimi në Turqi dhe në Gjermani dy shtetas turq, të dënuar për marrëdhënie seksuale me dhunë dhe prodhim dhe shitje narkotikësh, si dhe një shqiptar të dënuar me pesë vite burg për prodhim dhe shitje të drogës.
Si rezultat i verifikimeve dhe intervistimeve në hyrje dhe dalje, të kryera nga specialistët e Policisë Kufitare të Rinasit, si dhe si rezultat i koordinimit të punës ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe strukturave homologe në Turqi dhe në Gjermani, u arrestuan provizorisht shtetasit e shpallur në kërkim ndërkombëtar Burak Kara, 38 vjeç, u ndalua në hyrje të Shqipërisë, pasi është dënuar në vitin 2022, nga Gjykata e Mesinit, Turqi, me 8 vjet e 4 muaj burgim, për marrëdhënie seksuale me dhunë. Nga dënimi, 38-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur 4 vjet, 6 muaj e 21 ditë burgim.
Po ashtu Metehan Tutungu, 25 vjeç, u ndalua në dalje të Shqipërisë, pasi është dënuar në vitin 2023, nga Gjykata e Aschaffenburg, Gjermani, me 6 vjet e 6 muaj burgim, për prodhim dhe shitje narkotikësh.
Gjithashtu po nga shërbimet e Policisë Kufitare Rinas është kapur dhe vënë në pranga shtetasi Orgen (Mariglen) Bushpreni, 40 vjeç, banues në Laç. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar me 5 vjet burgim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.