Telegrafi

“Të bashkuar në betejë”, opozita shqiptare në protestë para kryeministrisë

“Të bashkuar në betejë”, me këtë slogan ka nisur rreth orës 20: 19 marshimi i opozitës nga selia e PD-së drejt bulevardit “Dëshmorët e kombit” për të vijuar para kryeministrisë. Siç është bërë tashmë e ditur protestuesit kërkojnë krijimin e një qeverie teknike si garanci për zgjedhje të lira dhe lirimin e Sali Berishës.

Ilir Meta: Dum Dumani është 4 vjet me vonesë që nuk ka arrestuar Edi Ramën

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në fjalën e tij në protestën e opozitës te Kryeministria, sulmoi sërish kreun e SPAK-ut si dhe ftoi kosovarët për të rrëzuar Edi Ramën.

“Turp për të gjithë ata këshilltarë opozitarë që nuk janë në protestë te bashkia se kanë frikë SPAK-un. Më keni dëgjuar kur them regjimi i Dum Dumanit. Ky (Edi Rama) e ka bazuar pushtetin e tij kriminal te Dum Dumanët, të cilët thonë afërmendsh që gjykatat do të vendosin atë që kërkon prokuroria. Duhet të mblidhemi të gjithë, t’i vëmë vizën një herë e përgjithmonë këtij regjimi që po zhbën identitetin tonë kombëtar dhe kulturor. Që kur u çlirua Kosova, armiqtë tanë ndoqën një politikë shumë të mençur dhe ne nuk arritëm të kuptonim strategjinë. U përpoqën ta marrin kalanë nga brenda me Kalin e Trojës”.

“Ai është armiku më i madh i Kosovës, nuk ia ka bërë asnjë Kosovës atë dëm të madh që i ka bërë Rama. Të bashkohemi me Kosovën për të shporrur armikun më të egër të Kosovës, që quhet Edi Rama. Të gjithë duhet të dimë që Rama lobohet në Bruksel e Uashington nga armiqtë e Kosovës, për t’i ngulur thika Kosovës. Mos harroni se çfarë tha Rama në Kuvendin e Kosovës, tha se shikonte Shqipërinë e Kosovën me President të përbashkët. Ai donte të thonte atëherë që mos ta njihnin Kosovën, pasi në fund shtetet tona do të bashkoheshin. Kosova nuk ka asnjë njohje që kur është bërë Rama kryeministër, ka vetëm çnjohje. Është në shërbim të Serbisë”, tha Meta.

“Dum Dumani është 4 vjet me vonesë që nuk ka arrestuar Edi Ramën, që ka firmosur 17 vendime qeveria, ndërkohë që ka pasur ministra që i kanë kundërshtuar këto vendime. Filloi hetimi me 5D, por këtu i gjithë shteti është 5D. Erjon Veliaj është 4 vite me vonesë për në burg. Ka vjedhur kompetencat e Këshillit Bashkiak për të futur në borxh të gjithë Tiranën për një incinerator që nuk ekziston”, shtoi Meta.

Budina: Skandalet këtu janë bërë normalitet, të radikalizojmë protestat

Regjizori Edmond Budina duke iu drejtuar mbështetësve të opozitës në tubimin kombëtar që po zhvillohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” tha se sot protestohet për familjet tona, sepse ky pushtet e ka nëpërkëmbur qytetarin, e ka shkatërruar këtë vend si askush tjetër.

“Skandalet këtu janë bërë normalitet”, tha Budina, duke theksuar se kemi në krye një hajdut, bashkë me bandën e tij.

“Ti themi jo kësaj bande mafioze që kemi në pushtet. Ne jemi këtu për të mbrojtur të drejtat tona”, tha Budina.

Aktori i njohur tha se Edi Rama nuk do të japë dorëheqjen, skandalet e tij vazhdojnë njëri pas tjetrit, kujtoni skandalin e Onkologjikut, më çnjerëzorin. Budina tha se kanceri i vërtetë është në godinën e Qeverisë, ai po ia merr frymën këtij vendi.

“Çfarë bën SPAK? Bën ndonjëherë ndonjë shfaqje dhe fut në burg ca cironka, por peshkaqenët janë këtu, që vazhdojnë të vjedhin”, tha Budina.

Në vijim ai u shpreh se PD dhe gjithë opozita nuk janë njësoj me këta hajdutë që po na vjedhin.

“Nuk ka pasur asnjëherë këtë banditizëm, këtë mafie, nuk kemi qenë asnjëherë vendi i fundit i Europës. Këtë e kemi nga këta mafiozë, nga këta të fortë, ndaj edhe ne jemi këtu dhe ti themi Jo. Ka ardhur koha që protestat tona të radikalizohen. Boll më me fjalime, me fjalë të bukura dhe me përkujdeshje. Duhet ti përgjigjemi me të njëjtën monedhë. Protesta po, greva po, madje të mos shkulemi që këtu, deri në rrëzimin e Edi Ramës”, tha ai.

Budina u shpreh se opozitën nuk e përcaktojnë të huajt, as liderin e opozitës nuk e përcaktojnë të huajt, por e përcaktojnë qytetarët me votën e tyre.

“Lirimi i liderit të opozitës, Qeveri teknike pa Edi Ramën, zgjedhje të lira dhe të ndesrhme, dhe opozita duhet të frymëzojë popullin e saj”, tha Budina, duke renditur sipas tij, kërkesat kryesore që duhet të ketë opozita.

Opozita shqiptare nis protestën para kryeministrisë

Mësohet se në podium do të mbajnë fjalime: Edmond Budina, Donika Haxhia, Edvin Cami, Artemisa Zenuni, Erion Dasho, Artemisa Halili, Ilir Meta dhe Sali Berisha.

Ish-kryeministri pritet të mbajë një fjalim me videocall nga shtëpia ku ndodhet në “arrest shtëpie” për çështjen “Partizani”.

Kjo është protesta e parë kombëtare e Partisë Demokratike pasi gjykata e Apelit i dha vulën dhe siglën e partisë.

Mbi 1200 policë dhe forca të sigurisë janë angazhuar për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në protestë. Përveç Policisë së Tiranës janë angazhuar edhe efektivët e Repartit Shqiponja, si dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë. policët janë pajisur me skafandra dhe mburoja.

Kërkesa për zgjatjen e protestës është bërë për deri në orën 24:00, por është miratuar për deri në orën 22:00.