Disa nga ish-funksionarët të cilët janë të akuzuar në rastet e Prokurorisë Speciale Publike (PSP), përsëri kërkojnë shpëtim në vendimet për falje të marra nga presidenti i shtetit, Gjorge Ivanov.
Të akuzuarit përmes avokatëve të tyre kanë dorëzuar aneksa në gjykata, në të cilat theksojnë se akoma është në fuqi vendimi i Ivanovit për falje. Nga PSP nuk komentojnë asgjë deri në fillimin e proceseve gjyqësore, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Ivanovi më 12 prill 2016 njoftoi se ka sjellur vendim për falje të 56 personave nga hetimet për vepra penale. Më 19 maj Kuvendi i mundësoi shefit të shtetit ta anulojë vendimin për falhe me ndryshimet në Ligjin për falje, i cili thotë se Ivanovi mund ta kthejë faljen në afat prej një muaji.
Në momentin kur Kuvendi miratoi ndryshimet në Ligjin për falje, afati prej një muaji për anulimin e faljes kishte kaluar. Edhe përkundër datave joligjore, Ivanovi anuloi faljen, por të akuzuarit mendojnë se ata janë të falur.
Mes të akuzuarve nga PSP janë ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski, i cili nga Ivanov ishte falur 16 herë, ish-ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska e cila u fal 11 herë, Nikolla Gruevski i cili u fal 5 herë për 5 vepra, Sasho Mijallkov dhe të tjerë./Telegrafi/