Site icon Telegrafi

A do të agjërojnë futbollistët shqiptarë gjatë ‘Euro 2016’?

Sipas burimeve të ekipit kombëtar, asnjë nga lojtarët nuk do të agjërojë, pasi ata do të jenë të fokusuar 100 për qind në ndeshjet e Evropianit.

Në këtë mënyrë, ishin vetë lojtarët ata që mbyllën çdo polemikë të mundshme rreth ndikimit në performancën e tyre, të muajit të Shenjtë të myslimanëve, Ramazanit, raporton SuperSport.

Agjërimi mund të përbënte një ngarkesë shtesë për futbollistët, pas një sezoni të gjatë dhe të lodhshëm. Kjo për faktin se konsumi i vakteve do të kryhej në orare të pazakonta për një sportist në aktivitet.

Ushqimi mund të konsumohet në orët e para të mëngjesit, dhe pas orës 20 të mbrëmjes dhe sipas stafit teknik kjo mund të kishte ndikim direkt në paraqitjen e skuadrës gjatë ndeshjeve: si në sfidën me Zvicrën, të shtunën në orën 15:00, por edhe në duelet përballë Francës dhe Rumanisë, që startojnë në orën 21:00 të mbrëmjes.

Pavarësisht se janë praktikantë të devotshëm, futbollistët e vendosën që në momentin historik të Kombëtares të lënë mënjanë sakrificën fetare dhe të sakrifikojnë në fushë, duke dhënë maksimumin për skuadrën dhe tifozët, për një paraqitje sa më të mirë të Shqipërisë në Kampionatin Evropian të Francës.

Exit mobile version