Telegrafi

Taylor Swift dhe Miley Cyrus rrisin shikueshmërinë e “Grammy Awards” – shfaqja shënon rekordin më të madh të shikimeve që nga viti 2020

Artistet si Taylor Swift dhe Miley Cyrus ndihmuan eventin më të madh të vitit në fushën e muzikës, “Grammy Awards 2024”, të arrijnë shifra të larta telespektatorësh, ndërsa ceremonia tërheq numrin më të madh të shikuesve që nga viti 2020.

Kanali i transmetimit CBS arriti mesatarisht 16.9 milionë shikues, që shënon një rritje prej 34 për qind nga shfaqja e vitit të kaluar. Ceremonia u zhvillua në “Crypto.com Arena” të Los Angelesit.

Swift bëri histori duke fituar çmimin “Albumi i vitit” për të katërtën herë, ndërsa Cyrus mori çmimin e saj të parë “Grammy” në karrierën e saj, shkruan DailyMail.

Ndërsa Cyrus, 31 vjeçare, ishte një nga fituesit më të mëdhenj të natës pasi fitoi sy çmime “Incizimi muzikor më i mirë i vitit” dhe “Performanca më e mirë solo e zhanrit Pop” për hitin e saj “Flowers”.

Lexo po ashtu Nuk e fitoi çmimin 'Grammy' as këtë vit edhe pas katër nominimesh, Bebe Rexha: Unë jam vet çmimi

Shifra prej 16.9 milionë shikuesve për transmetimin e CBS nuk përfshijnë shikimet online. Kanali televiziv tha se transmetimi i drejtpërdrejtë i çmimeve “Grammy” në Paramount+ u dyfishua me shikues nga një vit në tjetrin, megjithëse ata nuk dhanë shifra.

Eventi i parakalimit të yjeve në tapetin e kuq i transmetuar nga kanali E! News, po ashtu arriti audiencën më të madhe që nga viti 2020, me një mesatare prej 1.5 milionë shikuesve, nga 1.1 milionë një vit më parë.

Në një trend të ngjashëm, shikueshmëria e çmimeve “Golden Globe” muajin e kaluar u rrit me 50 për qind nga viti i kaluar, duke arritur 9.4 milionë shikues të drejtpërdrejtë në kanalin CBS, sipas të dhënave të vlerësimit të Nielsen.

Një vit më parë, “Golden Globe” tërhoqën vetëm 6.3 milionë shikues në mbrëmjen e ndarjes së çmimeve. /Telegrafi/