Telegrafi

Tashmë ndërtesat gjigante janë “jashtë mode”, ata duan të ndërtojnë një mal!

Mungesa e reshjeve kombinuar me temperaturat e larta që mund të shkojnë deri në 42 gradë Celsius dhe konsumimi i madh i ujit nga vendasit, do të thotë se rezervat natyrore të vendit, do të thahen shumë shpejt

Emiratet e Bashkuara Arabe duan që në territorin e tyre të bjerë shi.

Nisur nga pozicioni gjeografik, një pjesë e madhe e hapësirës së vendit përbëhet nga shkretëtirat, ndërkohë që temperaturat aty janë shumë të larta.

Por drejtuesit kanë një plan ambicioz. Që të mund të stimulojnë rënien e shiut, po mendojnë që të ndërtojnë një mal.

Shteti në Lindjen e Mesme, sapo i ka dhënë 400,000 dollarë Qendrës Kombëtare për Kërkimet Atmosferike (NCAR), një institut amerikan, që po studion se si një mal i ndërtuar nga njeriu mund të ndikojë te moti.

Sipas website-it me qendër në Dubai, që mbulon çështjet e biznesit, “Arabian Business”, kërkuesit aktualisht janë në fazën e projektit ku po “studiojnë modelin në detaje”.

Ndërsa ideja duket si një film fantastiko-shkencor, ajo bazohet në një koncept real meteorologjik, i cili quhet “rënie orografike”.

Kur ajri i lagësht ngjitet në njërën anë të malit, ai nis të ftohet dhe formon retë. Këto re më pas sjellin rënien e shiut, i cili bie në anën e malit e cila rrihet nga era.

Ana tjetër e cila nga shkencëtarët njihet si hija e shiut laget shumë pak nga reshjet, duke qenë se aty zbret ajri i thatë.

Për një nga vendet që renditet si një ndër më të thatët në botë, çdo pikë shiu ka vlerë të madhe.

Mesatarisht, UAE laget nga vetëm rreth 9 cm shi në vit, sipas gazetës kombëtare të Adu Dhab-it, “The National”.

Mungesa e reshjeve kombinuar me temperaturat e larta që mund të shkojnë deri në 42 gradë Celsius dhe konsumimi i madh i ujit nga vendasit, do të thotë se rezervat natyrore të vendit, do të thahen shumë shpejt.

Në vende si Abu Dhabi, kryeqendra e emirateve, ku një person mesatarisht konsumon 549 litra ujë në ditë, gati tri herë më shumë sesa mesatarja e një njeriu në botë, pritet që rezervat të shterojnë brenda 50 viteve.

Ky është një problem jo vetëm për parqet natyrore urbane, dhe për pistat e skive brenda qytetit, por edhe për fermat në zonat rurale.

UAE ka marrë masat e saj, duke ndërprerë ujitjen në zonat bujqësore me ujë natyral dhe duke u çuar fermerëve ujë të përpunuar nga ujërat e zeza.

Së fundmi, Abu Dhabi rriti tarifat e elektricitetit dhe të ujit për të inkurajuar rezidentët që të racionojnë përdorimin e tyre.

Për më tepër që shteti i ka hedhur sytë nga shkenca, për të gjetur zgjidhje të reja, për të krijuar shi artificialisht.

Verën e vitit të kaluar u harxhuan 560,000 dollarë në 186 projekte të krijimit të reve artificiale.

Teknologjia e modifikimit të motit, e cila daton që prej 1940-s, rrit aftësinë e resë që të krijojë reshje, duke injektuar në të pjesëza të cilat e kondensojnë ujin dhe më pas bëjnë të mundur rënien.

Dhe frytet e para janë dhënë pas këtyre investimeve, ku në mars në vend ranë 32 cm shi, një sasi rekord kjo për Emiratet e Bashkuara Arabe.

Gjithsesi, kërkuesit ende janë të paqartë sesa e saktë do të jetë kjo teknologji, përcjell gazetashqip.

Por nuk është diçka e thjeshtë të ndërtosh një mal.

Një projekt të tillë kishte qeveria holandeze, e cila llogariti se duhen shpenzuar 432 miliardë dollarë, që të mund të ndërtohet një mal nga njeriu.

“Nëse qeveria gjykon se projekti është i shtrenjtë, atëherë logjikisht ai nuk do të realizohet. Por kjo e jep një ide se çfarë alternativash janë për të ardhmen e largët”, tha Roelof Bruintjes, shkencëtar në NCAR, i cili është i specializuar në modifikimin e motit.

“Nëse ky plan shkon më tej, atëherë duhet shkuar te një kompani inxhinierike dhe të vendoset nëse kjo sipërmarrje është diçka e mundur apo jo”.

Por e gjithë kjo mund të mos ketë efekt, nëse mesazhi i konservimit të ujit ngel në hije nga jeta luksoze që disa prej banorëve të Emirateve të Bashkuara Arabe janë mësuar të bëjnë.

Edhe fermerët janë pjesë e problemit, pasi shumë prej tyre bazohen në sistemet e vaditjes me kanale të hapura gati 1 mijë vjet më parë, që po i thajnë resurset ujore të vendit.

Disa janë në kërkim të metodave të reja më të avancuara, kurse të tjerë, kur pyeten për problemin ngrenë supet.

“Është e vërtetë që harxhojnë shumë ujë”, tha një fermer, i cili merret me rritjen e palmave, shumë të kërkuara mes vendasve. “Por këto palma ne i kemi nga paraardhësit tanë. Nëse ne vendosim që të mos t’i rrisim më, atëherë do të jetë sikur të braktisim fëmijët tanë”.