Site icon Telegrafi

Tarifat tregtare, temë diskutimi ndërmjet Trumpit dhe Junckerit

Pritet që tarifat tregtare të jenë në krye të axhendës së takimit mes presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe presidentit të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

Juncker vjen në Uashington me shpresën që Bashkimi Evropian do të shmangë një luftë të gjerë tregtare duke bindur presidentin Trump të anulojë tarifat ndëshkimore ndaj makinave evropiane. Këto tarifa do të dëmtonin Gjermaninë që ka një sektor të fuqishëm për prodhimin e automjeteve dhe do t’u shtoheshin tarifave të rënda që ka vendosur administrata amerikane mbi importet e çelikut dhe aluminit.

Por në prag të takimit, Trump dukej pesimist për gjasat e një marrëveshjeje.

Lexo po ashtu BE përgatit kundërmasa ndaj taksave amerikane për automjetet

Në një postim në Twitter, ai tha se si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe Bashkimi Evropian duhet të largojnë të gjitha pengesat tregtare dhe subvencionet.

“Më në fund ky do të quhej Treg i Lirë dhe Tregti e Lirë”, shkruante presidenti.

Më herët dje, Trump u shpreh se “Tarifat janë gjëja më e mirë!”.

Ai u kanos të miratonte masa të tjera ndëshkimore ndaj partnerëve tregtare të SHBA.

“Një vend që ka trajtuar Shtetet e Bashkuara në mënyrë jo të drejtë, ose ulet në negociata për një marrëveshje të drejtë tregtare, ose do të goditet me tarifa”, shkroi ai.

Presidenti amerikan përsëriti komentin e tij se bota e përdor Amerikën si bankën e vet dhe të gjithë përpiqen ta zhvasin.

Komisioni Evropian është kundërpërgjigjur me tarifa, por ka gjasa që masat e reja ndëshkimore mbi tregtinë e makinave të rezultojnë në tarifa të reja në të ardhmen.

Lexo po ashtu BE-ja kërkon nga Kina, SHBA-ja dhe Rusia të parandalojnë konfliktet tregtare

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, tha dje se Evropa nuk do të epet para kërcënimeve të Trump.

“Evropa nuk pranon të kërcënohet nga Presidenti Trump. Nëse tërhiqemi një herë, ka të ngjarë që këtë sjellje ta shohim edhe në të ardhmen”, tha Maas.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, u shpreh dje në konferencë për shtyp se nuk mendon që tarifat janë zgjidhja e duhur. Ai u shpreh se beson që presidenti po kërkon një zgjidhje më të mirë për amerikanët, por shtoi se Shtetet e Bashkuara duhet të punojnë me vende aleate për të ulur pengesat tregtare dhe kufizimet mbi shkëmbimet tregtare mes tyre. /VOA /Telegrafi/

Exit mobile version