Aleanca për Shqiptarët do ta përkrahë referendumin e paralajmëruar, por realizimi i referendumit është luks që do ta kushtojë shumë shtetin, tha sekretari i përgjithshëm i ASH-së, Arben Taravari.
Në një deklaratë për AIM, Taravari e qartësoi qëndrimin përkrahës të ASH-së, duke theksuar se qëndrimi përfundimtar do të kumtohet kah fundi i këtij muaji pas mbajtjes së mbledhjes së Këshillit të partisë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Parimisht, ASH do të jetë me qëndrim pozitiv për çështjen e referendumit. Mosdhënia e përkrahjes në seancë kuvendore nga ana e deputetëve tanë për caktimin e referendumit ishte akt me të cilin deshëm të theksojmë se nuk ka nevojë për një gjë të tillë. Edhe me, edhe pa referendumin, deputetët sërish duhet të votojnë për ndryshimet e Kushtetutës që janë paraparë të bëhen sipas Marrëveshjes së Prespës si detyrime që dalin nga ajo marrëveshje. Në këtë mënyrë shteti do të bëjë harxhime të mëdha dhe është një luks i panevojshëm”, tha Taravari./Telegrafi/