Kryetari i komunës së Gostivarit dhe sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Arben Tarvari deklaroi se “e vërteta është se opozita shqiptare i fitoi partitë politike shqiptare në pushtet.
“Nuk duhet të përzihen dhe të vendosën në një vend votat që Blerim Reka i mori me ato të kandidates së OBRM-PDUKM-së”, tha kreu i komunës së Gostivarit, Arben Taravari për DW, pas vlerësimit të Gordana Siljanovka Davkovës se me votat e kandidatit Rekës, opozita ka më shumë vota se pushteti, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Nuk duhet të përzihen votat në mënyrë të tillë. E vërtetë është se opozita shqiptare i fitoi partitë shqiptare në pushtet. Ne morëm dyfish më shumë vota se sa partitë politike në pushtet, dyfish më shumë se BDI, PDSh dhe Alternativa. Sipas analizës tonë, ata kanë rreth 40.000 vota, duke përfshirë edhe votat e shqiptarëve që votojnë për LSDM-në”, tha Taravari.
Sipas tij, rezultatet zgjedhore nga rrethi i parë flasin se shumica e 80.000 votave opozitare te shqiptarët, kanë treguar se nuk janë për president koncensual.
“Ideja e kandidatit koncensual është projekt i dështuar. U tregua si mision i pasuksesshëm, ndërsa propozuesi i kësaj ideje, është partia që në këto zgjedhje u deligjitimua plotësisht. Kishin fushatë agresive, por votuesit nuk u përgjigjën. Aq e kanë fuqinë”, tha Taravari./Telegrafi/