Site icon Telegrafi

Tanket izraelite avancojnë në zonat në veri dhe jug të Gazës – mediat sjellin detaje rreth zhvillimeve të fundit atje

Forcat izraelite përparuan më tej të dielën në lagjen Shejaia të Gazës veriore dhe gjithashtu u futën më thellë në Rafah perëndimor dhe qendror në jug, duke vrarë të paktën gjashtë palestinezë dhe duke shkatërruar disa shtëpi, thanë banorët.

Tanket izraelite, të cilat u kthyen në Shejaia katër ditë më parë, qëlluan me predha drejt disa shtëpive, duke lënë familjet të bllokuara brenda dhe të paaftë për t’u larguar, thanë banorët, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Duke folur në fillim të takimit javor të kabinetit të dielën, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu përsëriti qëndrimin e tij se nuk kishte asnjë zëvendësim për arritjen e fitores në luftën kundër Hamasit.

“Forcat tona po operojnë në Rafah, Shejaia, kudo në Rripin e Gazës. Dhjetëra terroristë po eliminohen çdo ditë. Kjo është një luftë e vështirë që po zhvillohet mbi tokë, ndonjëherë në luftime ‘trup me trup’”, tha Netanyahu.

“Ne jemi të përkushtuar të luftojmë derisa të arrijmë të gjitha objektivat tona: Eliminimin e Hamasit, kthimin e të gjithë pengjeve tona, sigurimin që Gaza të mos përbëjë më kurrë një kërcënim për Izraelin dhe kthimin e sigurt të banorëve tanë në shtëpitë e tyre në jug dhe në veri”, ka shtuar ai.

Ushtria izraelite tha se forcat që vepronin në Shejaia kishin vrarë gjatë ditës së kaluar disa persona të armatosur palestinezë.

Ndërkohë të shtunën, ushtria njoftoi vdekjen e dy ushtarëve izraelitë në Gazën veriore.

Hamasi mohon përdorimin e vendeve civile si shkollat dhe spitalet për qëllime ushtarake.

Krahu i armatosur i Hamasit dhe Xhihadi Islamik aleat raportuan për luftime të ashpra si në Shejaia ashtu edhe në Rafah, duke thënë se luftëtarët e tyre kishin gjuajtur raketa antitank dhe bomba mortajash kundër forcave izraelite që vepronin atje.

Përpjekjet e ndërmjetësve arabë, të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara, kanë dështuar deri më tani për të siguruar një armëpushim.

Hamasi thotë se çdo marrëveshje duhet t’i japë fund luftës dhe të sjellë një tërheqje të plotë të Izraelit nga Gaza.

Në anën tjetër, Izraeli thotë se do të pranojë vetëm pauza të përkohshme në luftime derisa Hamasi, i cili ka qeverisur Gazën që nga viti 2007, të “çrrënjoset”. /Telegrafi/

Exit mobile version