Telegrafi

Tanja Fajon raportuese për vizat për Kosovën në Parlamentin Evropian?

Pasi Komisioni Evropian tashmë ka dhënë rekomandimin formal për heqjen e vizave për Kosovën, me gjithë faktin se ka përmendur edhe dy kushte që duhet përmbushur, vendimin duhet ta marrë pos Këshillit të Bashkimit Evropian, ku vendosin ministrat e brendshëm të vendeve anëtare me shumicë të kualifikuar, edhe Parlamenti Evropian, ku ende nuk ka nisur procedura, por pritet të niset javën që vjen.

Të premten ka skaduar afati për kandidaturat e deputetëve nga Komisioni për drejtësi, për të caktuar raportuesin për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Koha Ditore” mëson se sipas të gjitha gjasave këtë post do ta ketë deputetja nga Sllovenia, Tanja Fajon, e cila edhe më parë ka qenë raportuese për liberalizimin e vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Nëse edhe formalisht konfirmohet ky lajm, ajo do të përgatisë raportin i cili së pari duhet të diskutohet dhe votohet në Komisionin Parlamentar e pastaj edhe në seancën plenare të Parlamentit Evropian.

Edhe pse Kosova ka mbështetje të fuqishme në mesin e deputetëve të Parlamentit Evropian, procedura kërkon kohë dhe nuk është lehtë të parashihet se sa do të zgjasë ajo.