Telegrafi

Talenti i cili po pret shkëlqimin ende nuk është pjesë e Kombëtares, por kushton më shtrenjtë se gjysma e ekipit

Emanuele Ndoj është një emër i cili qarkullon prej disa vitesh në kombëtaret e moshave të Shqipërisë, ku ka qenë pjesë e U-17 dhe U-19, ndërsa pritet që së shpejti të bëhet pjesë e U-21 për edicionin e ardhshëm.

Ajo që pakkush di për futbollistin 19 vjeçar, është se transferimi i tij nga radhët e Romës, në akademinë e të cilës është rritur, te klubi aktual i Brescias, ka kushtuar më shumë se sa vlen aktualisht kartoni i pjesës më të madhe të lojtarëve të kombëtares shqiptare të futbollit.

Me publikimin e bilanceve financiare për sezonin 2015-2016, Roma ka zyrtarizuar edhe shifrat për transferimet e futbollistëve të kryera gjatë këtij viti financiar dhe aty pasqyrohet edhe kalimi i mesfushorit të talentuar shqiptar te Brescias.

Ndoj kur ishte pjesë e Romës.

Sipas dokumenteve zyrtare të klubit, Brescia ka shpenzuar 1,2 milionë euro për të siguruar kartonin e shqiptarit, duke finalizuar transferimin e tij, transmeton PanoramaSport.

Duke marrë për bazë vlerat e kartonit të futbollistëve të kombëtares shqiptare të futbollit, sipas portalit të njohur për transferimet ndërkombëtare, “Transfermarkt”, Ndoji rezulton se ka kushtuar më shumë se pjesa më e madhe e lojtarëve të grumbulluar së fundmi nga trajneri Gianni de Biasi.

Ndoj te Brescia, i befasuar nga ndëshkimi.

Shifra 1,2 milionë euro bën që pas tij të mbeten Hyka, Manaj, Basha, Veseli, Gjimshiti, Sadiku, Lila, Aliji, Latifi, Llullaku, Grezda, Hoxha, Roshi, Kukeli, Agolli, Çani dhe Shehi.

Një vit më parë, Ndoj u shpall Kampion i Italisë me ekipin e të rinjve të Brescias, ndërsa në këtë sezon, ai ka kaluar me ekipin e parë ku ka koleksionuar që tani 4 ndeshje të luajtura në Serinë B.