Me ftesë të Kryetarit të Kuvendit të Ukrainës, Rusllan Stefançuk, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi po qëndron për vizitë në Ukrainë ku në orët e hershme të mëngjesit ka mbërritur me tren përmes Polonisë.
Njëkohësisht, në vizitë në Ukrainë po qëndrojnë edhe kryetarët e Parlamentit të Rumanisë dhe Konfederatës Zvicerane.
Kryetari Xhaferi i vizitoi qytetin Irpin dhe pistën e Hostomelit që janë të shkatërruar nga veprimet luftarake, pas çka bashkë me kryetarët tjerë të parlamenteve dhanë deklaratë bashkë.
“Gjithsesi, për mua është kënaqësi e veçantë dhe e pranova ftesën që edhe personalisht ti vizitoj Buçën dhe Irpinin që personalisht ti shohim pasojat nga ajo që është pushtimi i Federatës Ruse mbi Ukrainën. Natyrisht, prezenca ime është simbol i mbështetjes personale, institucionale dhe mbështetjes së qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut për popullin e Ukrainës dhe institucioneve të Ukrainës. Ne në Ballkanin Perëndimor i kemi të freskëta kujtimet nga imazhet e këtilla që i shihnim jo më gjatë se dy dekada më para, e kemi të freskët Reçakun në Kosovë, e freskët është Srebrenica në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe gjithsesi mendoj se ne ju kuptojnë dhe e dimë më së miri çfarë do të thonë këto imazhe që i shohim këtu”, tha Xhaferi.
Ai theksoi se personalisht do të zotohem që institucionet dhe qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut të ofrojnë gjithë mbështetjen e mundur që është në dispozicion bashkë me partnerët tanë nga Bashkimi Evropian dhe komuniteti ndërkombëtar.
“Gjithsesi, personalisht do të zotohem që këto imazhe të emërtohen me emrin që u takon, dhe ky është gjenocid dhe asgjë tjetër”, shtoi Xhaferi.
Kjo vizitë e Kryetarit Xhaferi është e para e këtij lloji e përfaqësuesit të lartë nga rajoni dhe vizitë e parë e të gjitha niveleve të pushtetit në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në kuadër të vizitës, Kryetari Xhaferi do të ketë edhe fjalim para Kongresit të Këshillave Lokal dhe Rajonal nën kryesimin e Presidentit të Ukrainës, Vollodimir Zelenski.