Një video e shpërndarë para pak ditësh në “TikTok” ka marrë vëmendjen e shumë përdoruesve të këtij rrjeti social.
Taksisti Ragip Berisha ka kaluar momente të veçanta me tre turistë të huaj, të cilët kishin vizituar Kosovën.
Përveç që siguroi transportin për turistët, Berisha së bashku me ta kanë kaluar momente të veçanta duke shkëmbyer histori dhe duke eksploruar bukuritë e vendit tonë.
Një përmbledhje e gjithë udhëtimit, e realizuar nga turistët, u publikua në “TikTok”.
Videoja grumbulloi mbi një milion e gjysmë klikime dhe mori qindra komente pozitive nga përdoruesit e këtij rrjeti.
Pa dyshim, video u pa edhe nga Ragip Berisha, i cili i shoqëroi turistët për tri ditë radhazi.
Në një prononcim për Telegrafin, ai u shpreh se e gjithë eksperienca e kaluar me turistët do të mbahet mend për një kohë të gjatë.
“Kemi vizituar disa vende së bashku, si Badovc, Graçanicë, Ulpianë, Prizren, e vende të tjera. Pastaj, i kam dërguar edhe në Budva, në Mal të Zi. Kosova shumë iu ka pëlqyer. Njëri ishte nga Egjipti, tjetri nga Pakistani. Ata mësuan edhe disa fjalë në shqip, si ‘mirëdita’ dhe ‘ditën e mirë’,” pohoi ai.
Ndryshe, turistët në videon e publikuar kanë falënderuar turistin për momentet e mira që kanë kaluar së bashku./Telegrafi/
@chroniclesofyash ragip took us across two international borders to get to Montenegro, he genuinely made the trip incredible and left us with very fond memories 💪