Kushtet, të cilat i ofron Kosova për bizneset, si dhe ngarkesat me taksa të shumta, po bëjnë që shumë nga bizneset të mendojnë largimin nga Kosova. Përveç kushteve, bizneset detyrohen të paguajnë doganën dhe TVSH-në në kufij, madje edhe për lëndën e parë. Drejtues të bizneseve theksojnë se pagesa e këtyre taksave dhe ofrimi i kushteve më të mira për investim nga Maqedonia, ka bërë që t’i shqyrtojnë mundësitë për të zhvilluar aktivitetin e tyre në këtë shtet, apo diku tjetër.
Vazhdimi i aktiviteteve për shumë biznese në Kosovë është vështirësuar, sidomos për ata që veprimtaritë e tyre i kanë në industrinë prodhuese. Këto biznese detyrohen të bëjnë pagesën e TVSH-së dhe të doganës në kufij, madje këtë e bëjnë edhe për lëndën e parë. Bizneset ankohen se këto pagesa dhe taksa të tjera po i bëjnë ata të mendojnë seriozisht për të vazhduar veprimtarinë e tyre në ndonjë shtet tjetër të rajonit apo më larg.
Investitorët vendorë, të cilët ushtrojnë veprimtarinë e tyre në vend, nuk do të investonin përsëri në Kosovë, po me të njëjtat rrethana që kanë kaluar gjatë investimit të tyre, të paktën kështu ka treguar drejtori ekzekutiv i fabrikës së barnave, “Trepharm”, Mërgim Prishtina. Ai tregon se janë duke e shqyrtuar mundësinë e investimit në Maqedoni, pikërisht në Tetovë, si mundësi për zhvillimin e fazës së dytë të investimeve.
“Tanimë e një kohë kemi bërë planifikimet për të zhvilluar fazën e dytë të investimeve në fabrikë, investim ky që kap shumën prej 5 milionë eurove si dhe punësimin e 100 personave. Duke parë kushtet e Kosovës si dhe problemet me të cilat jemi ballafaquar gjatë operimit tanimë katërvjeçar, kur vetëm për leje e licenca kemi harxhuar rreth 7 muaj, kemi vendosur që të konsiderojmë edhe rajonin, pikërisht ofertën e Maqedonisë. Atje na është ofruar një nivel tatimor prej 0% për të gjitha llojet e tatimeve, duke përfshirë edhe tatimin për lëndë të parë e për makineri, lirim nga pagesat e taksave komunale si dhe taksave për ndërtim si dhe më e veçanta është se Maqedonia subvencion në koston e ndërtimit deri në 500 mijë euro”, ka thënë për revistën “Ekonomia” Mërgim Prishtina, drejtori Ekzekutiv i fabrikës së barnave, “Trepharm”.
I lirojnë nga taksat për eksport
Kurse Shaqir Palushi nga Kompania “Frutex”, e cila bën prodhimin e pijeve energjike dhe lëngjeve, thotë se prodhuesit vendorë ngarkohen me taksa të cilat e vështirësojnë zhvillimin e aktivitetit të tyre. “Si prodhues kemi probleme, sepse për një pjesë të lëndës së parë ngarkohemi me taksë doganore edhe me TVSH, pasi bëjmë pagesën e tyre në kufij, kjo është ngarkesë për prodhuesin, pasi që lënda e parë për të cilën paguajmë doganë dhe TVSH, mund të marrë kohë deri në katër muaj derisa të finalizohet si produkt final për të dalë në treg”, tha Palushi.
Sipas tij, pagesa e doganës dhe TVSH-së në kufij, i bën më pak konkurruese në treg bizneset vendore. “Në një mënyrë ne si biznese bëhemi kredituese, e natyrisht na vë në situatë të vështirë dhe kuptohet që edhe në treg mund të mos jemi të barabartë me prodhuesit nga jashtë”, tha ai.
Por, dallime ka për lëndën e parë që importohet për t’u përpunuar për eksport, ku bizneset nuk paguajnë doganë dhe TVSH. “Në momentin që produkti apo lënda e parë është për eksport, ne lirohemi nga dogana dhe TVSH-ja edhe për lëndën e parë, e cila përpunohet e pastaj eksportohet. Bizneset ngarkohen me taksat për pjesën e produkteve të cilat shiten në Kosovë”, tha për revistën “Ekonomia” biznesmeni Shaqir Palushi.
Burim Piraj, pronar i kompanisë “MEKA”, thotë se ngarkesa e bizneseve me pagesën e taksave në kufij u pamundëson bizneseve hapjen e vendeve të reja të punës. Por, sipas tij, Qeveria në presion të inkasimit të sa më shumë mjeteve nga tatimet, ka përpiluar udhëzime administrative në kundërshtim me ligjin. Piraj nuk sheh ndonjë gatishmëri për të përmirësuar këtë gjendje edhe te Qeveria e re e Kosovës.
“Për shumicën e lëndës së parë, e cila importohet në Kosovë për përpunim ka taksë prej 10%, pastaj e keqja më e madhe është se paguhet taksa dhe TVSH-ja në kufi. Në të gjitha shtetet e botës TVSH-ja paguhet pasi që malli të jetë shitur te konsumatori i fundit, vetëm në vendin tonë paguhet avans, gjë që i ngarkon financiarisht bizneset dhe i detyron të marrin kredi të cilat shpesh dhe bëhen shkaku kryesor i dështimit të bizneseve nga kamatat e paarritshme”, thotë ai.
Më e keqja se në import, sipas Pirajt, është se edhe për makineritë dhe pajisjet për prodhim në Kosovë to duhet të paguhet TVSH-ja, gjë që e bën edhe më të vështirë investimin në punësim.
Ndërkaq, eksperti i ekonomisë Naim Gashi vlerëson se politika fiskale është i vetmi instrument i cili i shërben shtetit për mbushjen e arkës së buxhetit nacional. Por ai thotë se qeveria duhet t’i mbajë premtimet për uljen e tatimeve. Sipas tij, sa herë bëhet ulja e tatimeve, krijohet hendek në buxhet i cili duhet mbuluar me një tatim tjetër.
“Në rastin e Kosovës mendoj se Qeveria duhet ta mbajë premtimin për uljen e shkallës së tatimit në qarkullim për ndërmarrjet e vogla, nga 9%, që është tani, në 4.5%. Një propozim tjetër është që të hiqen të gjitha tatimet dhe doganat për lëndën e parë, makinerinë dhe teknologjinë që përdoret në prodhim. Këto ndryshime fiskale krijojnë një mungesë të mjeteve buxhetore të cilat duhet të mbulohen nga zgjerimi i bazës tatimore, luftimi i evazionit fiskal, sidomos në kufij dhe luftimi i ekonomisë joformale”, ka thënë Gashi.
Profesori i ekonomisë, Naim Gashi, vlerëson se, edhe pse është praktikë e mirë ekonomike, Administrata Tatimore dhe Doganat nuk janë ende të gatshme që të mbledhin TVSH-në brenda kufijve të Kosovës. “Mbledhja e TVSH-së brenda kufirit të Kosovës, i hap rrugë edhe më tepër evazionit fiskal dhe kontrabandës në kufij, kështu që mund të dëmtohet seriozisht buxheti i shtetit. Prandaj, vlerësoj që mbledhja e TVSH-së brenda territorit të Kosovës duhet të shtyhet edhe për një kohë, derisa të forcohen kapacitetet e agjencive për mbledhjen e taksave”, tha Gashi.
Maqedonia përkrahje financiare për bizneset
Agon Nixha, hulumtues në Institutin “RIINVEST”, thotë se në një hulumtim që kanë bërë me bizneset, në mesin e 23 barrierave të ndryshme, ato fiskale janë konsideruar pjesërisht serioze, pra jo shumë serioze. Në krahasim me rajonin, nuk qëndrojmë keq në relacion me taksat.
“Për shembull, TVSH-ja në Kosovë, me sa e di unë, është me e ulëta në rajon. Problemi qëndron tek fakti se ato aplikohen në mënyre selektive. Me fjalë të tjera, ndaj disa bizneseve, të cilat kanë relacion më të ngushtë me zyrtarët publikë, nuk aplikohen taksa ashtu siç e parasheh ligji. Kjo si rezultat çon te konkurrenca jo fer, që është evidentuar si njëra ndër barrierat më problematike për bizneset”, thekson Nixha.
Ai vlerëson se përkrahja financiare e bizneseve nga qeveria si dhe lirimi nga disa taksa, e bën Maqedoninë më të favorshme karshi Kosovës.
“Maqedonia është më atraktive, se ka një klimë më të favorshme të biznesit. Kjo konfirmohet edhe në raportin ‘Doing Business’ të Bankës Botërore. Sipas këtij raporti, Maqedonia është njeri ndër 40 vendet me klimën e biznesit më të favorshme në botë. Përveç kësaj, institucionet e Maqedonisë aplikojnë skema financiare stimuluese për investitorët. Pra, në Maqedoni, përveç lehtësirave fiskale, Qeveria i përkrah financiarisht investitorët që kaneë potencial për gjenerimin e vendeve të punës”, thotë Agon Nixha, hulumtues në Institutin “RIINVEST”.
Maqedonia me klimë më të favorshme të biznesit
Maqedonia është më atraktive, se ka një klimë më të favorshme të biznesit. Kjo konfirmohet edhe në raportin ‘Doing Business’ të Bankës Botërore. Maqedonia, nëpërmjet iniciativës “Invest in Macedonia”, u ofron bizneseve që investojnë në këtë vend nivel të tatimeve 0% në 10 vjetët e parë, bizneset nuk paguajnë taksa komunale, licenca e leje, tokën për ndërtim të fabrikave prodhuese pa pagesë si dhe deri 500 mijë euro subvencion për ndërtim të fabrikës, trajnime specifike për punëtorë, e shumë lehtësira të tjera, të cilat e bëjnë këtë shtet fqinjë shumë më atraktiv sesa Kosova. /Revista Ekonomia/Telegrafi/