Site icon Telegrafi

Taksa ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës duhet të jetë më e lartë

Vendosja e taksës prej 10 për qind nga ana e Kosovës për mallrat me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina nga ana e prodhuesve po konsiderohet i mirëpritur.

Sipas njohësve të ekonomisë, me këtë nivel të taksës nuk do të ndihet asnjë efekt dhe se taksa do të duhej të ishte më e lartë sesa është vendosur nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Kryetarja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, Sala Berisha-Shala, për Telegrafin ka thënë se ky vendim është i mirëpritur për bizneset vendore.

Berisha-Shala tha se përveç taksës duhet të shikohen edhe masa të tjera.

“Prodhuesve tonë t’iu krijohet hapësirë dhe lehtësira tregtare. Përveç taksës prej 10 për qind, duhet të shikojmë edhe masa të tjera në mënyrë që t’iu krijojmë një hapësirë produkteve dhe prodhuesve tonë në mënyra të tjera pa cenuar marrëveshjet dhe pa marr vërejtje nga ata mekanizma ku merr pjesë Kosova”, tha Sala Berisha Shala për Telegrafin.

Ajo tha se duhet t’iu krijohet kushte produkteve vendore.

“Ne duhet t’iu krijojmë hapësirë prodhimeve në tregun e Kosovës, që po i nënshtrohen një konkurrence jolojale në tregun e brendshëm, pasi që në vendin tonë hyjnë produktet edhe nën koston e prodhimit, ku nëpërmjet kësaj forme e sigurojnë tregun e brendshëm dhe këtë mënyrë dëmtohet Kosova”, tha ajo.

Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, në një intervistë për Telegrafin, ka thënë se kjo taksë ka mundur të jetë edhe më e lartë.

Ai ka thënë se nëse nuk ka përmirësim nga ana këtyre vendeve, atëherë kjo taksë duhet të rritet.

“Nëse e shohim në aspektin ekonomik kjo tarifë ka mundur të jetë edhe më e lartë, por nëse nuk shohim përmirësim nga ana e Serbisë, atëherë kjo tarifë mund të rritet. Në aspektin politik, duke e ditur se çfarë barriera ka nga Serbia, atëherë Kosova do të duhej të vendoste embargo totale”, tha Panxha.

Lexo po ashtu Panxha: Taksa për mallrat jo e mjaftueshme, duhet 'embargo totale' ndaj Serbisë (Video)

Ndërsa, ish-ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, në një prononcim për media, është shprehur e bindur se Serbia nuk do të ndiejë asnjë efekt karshi taksës prej 10 për qind të vënë nga Qeveria e Kosovës.

Kusari-Lila ka deklaruar se përmes këtij vendimi, Qeveria e Kosovës nuk ka arritur të bëjë presion ndaj Serbisë dhe pengesave që kjo e fundit i shkakton vendit tonë.

Ajo konsideron se deri më tash është bërë zhurmë, e cila siç thotë ajo, ka bërë që të reagojnë edhe institucionet e BE-së. E për këtë, ajo thotë se Qeveria e Kosovës duhet të rishikojë vendimin, ta ndryshojë atë dhe ta mbyllë tërësisht kufirin për mallrat serbe, pavarësisht origjinës së tyre.

“As për së afërmi nuk do ta arrijë synimin që e ka Qeveria, që në një mënyrë ose tjetër t’i tregojë Serbisë ose t’i revanshohet për gjithë ofensivën diplomatike kundër Kosovës që e bënë dhe pengesat në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash. Qeveria duhet ta rishikojë vendimin, ta ndryshojë komplet dhe nëse do të ketë ndonjë efekt, ta mbyllë në tërësi kufirin për produktet për mallrat serbe, pa përjashtim të origjinës së kapitalit, a janë kompani të huaja apo serbe ato që prodhojnë në Serbi”, tha ajo.

Kujtojmë se në kohën sa ishte ministre e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, pati marrë vendim për vendosjen e masës së reciprocitetit ndaj mallrave të Serbisë. /Telegrafi/

Exit mobile version