Site icon Telegrafi

Takohen ministrat e Mbrojtjes të vendeve të NATO-s, Peleshi: Aleanca Veriatlantike me mesazhe të qarta për situatën në Kosovë

Zhvillimet në veri të Kosovës morën një vëmendje të veçantë në takimin e ministrave të Mbrojtjes së vendeve të NATO-s, që u mbajt në selinë e NATO-s, në Bruksel.

Si pjesë e këtij takimi, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi shprehu angazhimin e vendit tonë për zbatimin e vendimeve të marra në Samitin e Vilnusit mbi zhvillimin e planeve rajonale dhe strukturën e re të forcave, si dhe theksoi rëndësinë që ka realizimi i të gjithë familjes së planeve të shkurajimit dhe mbrojtjes, për të garantuar Aleancën nga kërcënimet e mundshme.

Në zbatim të modelit të ri të forcave të NATO-s, është miratuar struktura e re e Forcave të Armatosura, si dhe do të kontribuojmë në zbatimin e planeve duke përshtatur praktikat tona dhe vendosur në dispozicion infrastrukturën kritike si ajo e Bazës së Kuçovës, portin e Porto Romanos dhe ndërtimi i Korridorit VIII.

Sipas ministrit Peleshi, “Shqipëria ka një vullnet politik të qartë dhe do të vijojë të mbështesë me një qasje gjithëpërfshirëse masat për forcimin e deterencës dhe mbrojtjes, duke rritur edhe më tej kontributin në operacione dhe në misione si në Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Irak, në Vigjilencën e Përforcuar të NATO-s në Bullgari, Rumani dhe në detin Mesdhe”.

Duke u fokusuar në situatën mbi Ballkanin Perëndimor, ministri Peleshi gjatë fjalës së tij dënoi me ashpërsi sulmin e sofistikuar terrorist në Veri të Kosovës, si një tentativë për destabilizimin e rajonit. Për më tepër, shtoi ai, reagimi i Beogradit duke heroizuar sulmuesit e 24 shtatorit në Banjska si dhe dërgimi i trupave dhe kapaciteteve ushtarake afër kufijve të Kosovës janë ngjarje të papranueshme dhe të dënueshme, prandaj BE-ja veçanërisht duhet të mbajë një qëndrim të prerë ndaj akteve të tilla dhe të shprehet hapur ndaj qeverisë serbe.

Ministri Peleshi theksoi se NATO dhe BE duhet të bëjnë më tepër për Ballkanin. Gjuha dhe mesazhet që përcillen nga i gjithë komuniteti perëndimor duhet të jenë të qarta dhe të balancuara, edhe nën dritën e dinamikave të fundit.

Peleshi theksoi se vendi ynë mbështet plotësisht mandatin e KFOR-it dhe është i angazhuar intensivisht me aleatët për të parandaluar një përshkallëzim të situatës, duke kontribuuar në të njëjtën kohë për lehtësimin e dialogut Prishtinë-Beograd. Gjithsesi, sipas ministrit Peleshi, shikohet si e nevojshme një vendimmarrje politike për të përmirësuar dhe maksimizuar angazhimin e KFOR-it në Kosovë duke përmirësuar bashkëpunimin me palët kryesore të interesuara.

“KFOR duhet të intensifikojë patrullimet përgjatë kufirit Kosovë-Serbi në sinkronizim me Policinë e Kosovës, e cila mbetet reaguesi parë i sigurisë në tërë territorin e Kosovës, si dhe me EULEX-in”, u shpreh Peleshi.

Në vëmendje të ministerialit të Ministrave të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s ishte edhe mbështetja e palëkundur për Ukrainën, në përpjekjet e saj kundër agresionit rus.
Aleatët shprehën solidaritetin e tyre me Izraelin, duke dënuar njëzëri sulmet, pengmarrjen dhe vrasjen e civilëve për shkak të sulmeve të Hamasit.

Ministri i Mbrojtjes së Kroacisë, Mario Banožić, në emër edhe të ministrave të Mbrojtjes të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, shprehu qëndrimin e vendeve tona në solidaritet të plotë me Izraelin.

Ai dënoi sulmet terroriste dhe vlerësoi të drejtën e vendit për t’u mbrojtur në proporcionalitet kundër këtyre akteve të pajustifikueshme të terrorit. Vendet tona do të kenë gjithmonë të njëjtën mbështetje sikundër dhe aleanca kundrejt akteve të tilla të cilat cenojnë sigurinë euroatlantike.

Gjatë punimeve të këtij takimi, nga disa nga vende aleate u nënshkrua dhe Letra e Qëllimit, lidhur me iniciativën shumëkombëshe për lehtësimin e kufizimeve ndërkufitare në hapësirën ajrore të vendeve aleate, për aktivitetet ajrore të NATO-s. Të gjitha vendet angazhohen në kuadër të masave për rritjen e operacionalitetit dhe zbatimit të planeve të mbrojtjes për krijimin e lehtësirave procedurale në përdorimin e hapësirës ajrore./ATSH

Exit mobile version