Site icon Telegrafi

Takohen Lajçak e Escobar, flasin për dialogun dhe zhvillimet e fundit në Ballkan

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, janë takuar këtë të premte për të biseduar për zhvillimet e fundit.

Për takimin ka njoftuar emisari Lajçak, përmes një postimi në Twitter, ku ka shkruar se kanë biseduar për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

“Është mirë të takohem me Gabriel Escobar për të përditësuar njëri-tjetrin mbi zhvillimet më të fundit në Ballkanin Perëndimor dhe Dialogun e lehtësuar nga BE. Unë jam shumë mirënjohës për mbështetjen e fortë dhe të qartë për punën time”, ka shkruar ai.

Ndryshe, Lajçak në një intervistë për Euronews Albania ka deklaruar se javën e ardhshme pritet marrëveshje me rëndësi sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, ndërmjet dy palëve është arritur mjaft progres edhe pse nuk ishte shumë i dukshëm deri tani.

“Është bërë shumë punë dhe ka pasur progres edhe pse kjo nuk ka qenë edhe aq e dukshme, por e vërteta është se dy kryenegociatorët po takohen çdo muaj në Bruksel dhe ne po diskutojmë një numër çështjes konkrete, si implementimi i marrëveshjeve të nënshkruara që janë miratuar para disa viteve por nuk janë implementuar”, ka thënë Lajçak.

“Ne gjithashtu po diskutojmë rreth çështjeve të ditëve të sotme për tu siguruar që ato të mos kthehen në probleme të mundshme dhe së fundmi ne po punojmë edhe për të ardhmen e marrëveshjes së normalizimit”.

Ai ka njoftuar po planifikon një takim të liderëve ndërmjet dy shteteve para fillimit të pushimeve verore. /Telegrafi/

Exit mobile version