Site icon Telegrafi

Takimi i së hënës në Bruksel, Haziri: Kurti e ka ditën për të dëshmuar nëse është kundër ndarjes së Kosovës apo jo

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka thënë se kryeministri Albin Kurti nesër do të ketë mundësinë për të dëshmuar qëndrimin e tij në raport me Asociacionin.

Përmes një shënimi në facebook, Haziri ka thënë se nëse formohet Asociacioni pa njohjen reciproke nga Serbia, atëherë Kosova po jep gjithçka për asgjë.

“Nëse krijohet Asociacioni pa njohjen nga Serbia, atëherë i bie që Kosova po jep gjithçka, për kurrgjë. Në këtë mënyrë, Kosova ka me dalë ‘e lënduar’ prej procesit”.

Ai ka thënë se çështjen e Asociacionit ekipi i atëhershëm në dialogun e Vjenës me mjeshtri e kishte larguar nga tavolina

“Sa për rikujtim, çështja e Asociacionit ka qenë pjesë edhe e bisedimeve në Vjenë dhe ne kemi arritur me pragmatizëm politik ta eliminojmë, ta heqim prej tavolinës”.

Lexo po ashtu Çitaku: Nesër nënshkruhet një marrëveshje me Asociacionin në qendër, e njohjen as në periferi

Haziri ka kritikuar Kurtin duke e quajtur politikan me qëndrime jokonsekuente, por që sipas tij nesër i pari i qeverisë do ta ketë ditën nëse do ta pranojnë apo jo ndarjen e Kosovës.

“Pyetja se a po kalon ‘Zajednica’ tashmë është evidente në kuadër të planit franko-gjerman, duke e pasur kryeministër politikanin më jokonsistent në qëndrime që ka pasur Kosova. Do ta këtë nesër ditën për të dëshmuar se cili Kurti do të jetë në funksion – Kurti opozitar, kryeministër e kundërshtues apo Kurti pranues e ndarës de jure i një pjesë të Kosovës”.

“A do të mbetet Mister No apo jo, do të provohet për herë të parë nesër”, ka shkruar tutje Haziri.

Ndryshe, propozimi i BE-së pritet të jetë pjesë e agjendës së takimit Kurti -Vuçiq ditën e hënë, plus edhe diskutimi për marrëveshjet e arritura deri më tani.

Më 26 shkurt, tre liderët evropianë, presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, i kanë thënë Kurtit përmes një letre se, e kanë mirëpritur vendimin e tij për të pranuar propozimin e Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve, dhe e kanë përmendur nevojën e madhe për krijimin e kushteve drejt finalizimit dhe zbatimit të saj./Telegrafi/

Exit mobile version