Kryeministri i vendit, Albin Kurti sot në një konferencë për media ka folur për takimin me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama gjatë së martës në Tiranë.
Kurti ka thënë se takimi me Ramën ishte shumë i mirë, konstruktiv e pozitiv si dhe kanë folur për temat aktuale.
“E para ishte siguria kibernetike dhe isha shumë i interesuar për përvojën e tyre me sulmet e fundit që kanë qenë të dëmshme e kriminale.. Ju e dini që sot kemi themeluar Agjencinë për sigurinë kibernetike”, tha Kurti.
Ai më tej bëri të ditur se temë e dytë ishte sfidat me krizën energjetike, ndërkaq njoftoi se KEK dhe KESH kanë bashkëpunim shumë të ngushtë.
“Gjatë verës u kemi dhënë shumë energji elektrike Shqipërisë, në mënyrë që të na ndihmojnë gjatë dimrit”, tha ai.
Kreu i ekzekutivit më tej tha se kanë folur edhe për përgatitjet rreth Procesit të Berlinit, që kësaj here do të jetë me kancelarin Oalf Scholz. /Telegrafi/