Site icon Telegrafi

Takimi për bashkimin e opozitës, Berisha: Misioni më i vështirë në 32 vite

LSA

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka përshëndetur takimin e deputetëve opozitarë dhe aleatëve, i thirrur nga Gazment Bardhi, me qëllimin që opozita të bashkërendojë qëndrimin e saj në parlament.

Teksa akuzoi Ramën se ka krijuar një mekanizëm që devijon vullnetin e shqiptarëve, Berisha u shpreh se opozita ka një misioni të vështirë përpara, teksa përsëriti thirrjen për protesta.

“Falënderoj Bardhin dhe të gjithë ata të cilët mendoj se në një moment shumë të rëndësishëm të jetës politike u angazhuan për thirrjen e këtij takimi të shumëpritur nga populli i përçmuar opozitar. Ju falënderoj që jeni këtu. Shpreh bindjen se në kushtet në të cilat ndodhet vendi, misioni i opozitës shqiptare është më i vështiri që ajo ka pasur në 32 vite, por edhe më vendimtari. Ne ulemi këtu me mandat deputeti dhe jemi kaq dhe të tjerë që s’janë këtu, por në fund të fundit nuk duhet të harrojmë që mandatet tona janë marrë në një terren që qeveria ka ndryshuar vullnetin e qytetarëve”, tha Berisha.

“Opozita nuk mund të pranojë të bjerë në fatalitet, është ajo që ka misionin të japë zgjidhje e të krijojë shpresën. Ky takim është mesazhi më i duhur që ne iu dërgojmë mbi 600 mijë qytetarëve që në kushtet më të pabarabarta qëndruan si idealistë dhe votuan opozitën edhe në farsën e 14 majit”, shoti ai.

“Rama ka krijuar mekanizmat për grabitjen e mandateve. Vetëm protesta popullore mund t’i tregojë vendin e tij. Por kjo nuk është arma e vetme. Opozita duhet të shfrytëzojë çdo hapësirë, në radhë të parë në parlament, i cili drejtohet në mënyrë staliniste. Ne duhet të bëjmë gjithçka për një bashkërendim dhe për të shfrytëzuar hapësirat për të nxjerrë në pah të vërtetat e regjimit”, tha Berisha. /Telegrafi/

Exit mobile version