Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ende nuk ka marrë ftesë zyrtare nga presidentja Vjosa Osmani për takimin e paralajmëruar nga kjo e fundit me partitë opozitare në lidhje me draft-statutin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në një konferencë për media, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri ka thënë se kjo parti do të jetë pjesë e takimit për t’i shprehur shqetësimet e tyre sa i përket draftit të dorëzuar nga ndërmjetësit.
“Kemi dhënë qëndrimin të parët se ky statut ka probleme serioze, të cilat duhet t’i adresojë Gjykata Kushtetuese… Te çështja e presidentes nuk kemi ftesë, por kjo nuk është një temë që ne duhet t’i ikim. Sikur të ishte mbarë e mirë, në ditën kur e ka marrë Albin Kurti dhe Vjosa Osmani këtë draft, është dashur të na jepej nga një kopje dhe të mos vijë puna të na e japin nëpër zyre të partive parlamentare të opozitës nga dikush i BE-së…Por, kur të ndodhë ai takim, normal se do të jemi”, ka thënë Tahiri.
NPresidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ditë më parë ka paralajmëruar një takim me partitë opozitare në lidhje me draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ajo tha se pas dorëzimit të draftit edhe te partitë opozitare, do t’i thërrasë të njëjtat në një takim për t’i marrë shqetësimet e tyre sa i përket draftit të dorëzuar nga euro-amerikanët, por edhe të diskutojnë për tema të tjera të interesit nacional.
“Së shpejti do t’i thërras partitë opozitare në takim që të dëgjojë vlerësimet e tyre pasi e kanë marrë edhe ata draftin. Cilat janë komentet e tyre, cilat janë çështjet të cilat ata dëshirojnë që të sqarohen. Do t’i inkorporojë edhe ato komente, natyrisht me ato që pajtohemi dhe kemi vlerësimin e njëjtë në mënyrë që të përforcohen dhe përbashkohen zërat tanë për të gjitha ato çështje që mendojmë të përmirësohet ky draft… Unë do të pres që t’i takoj dhe t’i dëgjojë më në detaje shqetësimet e tyre para se t’i komentoj. Tani për fund të vitit do t’i ftojë partitë opozitare për konsultime të fundvitit për këtë temë dhe për shumë tema të tjera që kanë të bëjnë me interesin nacional”, tha Osmani. /Telegrafi/