Në prag të zgjedhjeve në komunat e veriut të Kosovës, njohësit e sigurisë parashikojnë tensionim të situatës atje. Përveç në incidentet e ditëve të kaluara, vlerësimin e tyre ata e bazojnë edhe në një takim me Listën Serbe të cilin presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka ftuar në Rashkë gjatë ditëve në vijim.
Nga ky takim i së premtes (7 prill) mes zyrtarëve të Listës Serbe dhe presidentit serb Vuçiq, u kuptua që ky i fundit së shpejti do të jetë në një vizitë afër kufirit me Kosovën.
Vuçiq tha se në Rashkë do të vendoset për një platformë të përbashkët pas ngjarjeve të krijuara.
I pranishëm në këtë takim ishte edhe Milan Radojçiq, që vazhdon të jetë i kërkuar nga Policia e Kosovës.
E, njohësit e sigurisë hallin e kanë te kthimi i mundshëm i një situate të njëjtë tensioni në veri sikur në fund të vitit të kaluar.
“Unë mendoj që potenciali është jashtëzakonisht i lartë që ne mund të kemi situatë të ngjashme me potencial të rritjes sa i përket çështjes së aktiviteteve kriminale në raport me Kosovën, në raport me pengimin e autoriteteve zyrtare, të shtritrës së tyre dhe mbajtjes së zgjedhjeve”, thotë Drizan Shala – njohës i sigurisë.
Gjithsesi, sugjerohet që të bëhet një zgjidhje politike për zgjedhjet e 23 prillit.
“Skenari i njëjtë, ai vetëm i instruon se si do të sillen në këtë situatë, edhe ata normal kanë kontakte të vazhdueshme me ekstremistët serbë në veri edhe situata mund të acarohet. Por, si do që të jetë më mirë është një zgjidhje politike edhe bashkësia ndërkombëtare po e sheh që kjo po bëhet qëllimisht, abstenimi i Listës Serbe me qëllim që të krijojë favore”, thekson njohësi tjetër i sigurisë, Nuredin Ibishi.
Agjencia e Kosovës për Inteligjencë ka informacione që në Rashkë të Serbisë dy grupe po zhvillojnë trajnime për ta destabilizuar veriun.
Këtë informacion e bëri publik gjatë kësaj jave kryetarja e komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së, Ganimete Musliu, pas raportit të drejtorit të kësaj agjencie, Petrit Ajeti.
Ndërsa, Presidenca ka thënë të premten se në rast të tensionimit të situatës në veri, ky institucion ka një plan B, duke mos dhënë detaje se çfarë përmban ai./RTVDukagjini/