Sot (e mërkurë) është mbajtur takimi online i presidentit të UEFA-s, Aleksander Çeferin me 55 presidentët e federatave anëtare.
Në këtë takim dy orësh, në të cilin mori pjesë presidenti Agim Ademi, u bisedua për situatën aktuale në secilën federatë, për gjendjen e pandemisë, ndeshjet e ekipeve Kombëtare të meshkujve dhe të femrave, të klubeve, të futsallit si dhe rrjedhën e fillimit të kampionateve, rikthimin e tifozëve në stadiume dhe për rreziqet financiare si pasojë e pandemisë.
Gjatë këtij takimi u dakordua që federatat të jenë në kontakt të vazhdueshëm me UEFA-n dhe për çdo ndryshim eventual të situatës së pandemisë apo situatave tjera të lajmërohen organet e UEFA-s.
Presidenti Çeferin ka thënë se UEFA e kupton vështirësinë e federatave për zhvillimin e kampionateve nacionale ngase varet nga autoritetet e secilit shtet, të cilat herë janë në listën e kuqe e herë në listën e gjelbër të situatës së pandemisë, por se futbolli duhet të vazhdojë normalisht nën respektimin e protokollit shëndetësor, sepse siç ka thënë Çeferein vetëm me sport mund ta ndryshojmë ndjenjën dhe ta largojmë frikën e njerëzve nga Covid-19.
Tutje presidenti i UEFA-s ka shprehur besimin e tij se shumë shpejtë do të kthejnë një numër të tifozëve në stadiume dhe për këtë qëllim janë duke zhvilluar bisedime me autoritetet e secilit shtet. Ai bëri me dije se një vendim për këtë çështje do të merret shumë shpejt, teksa u shpreh i lumtur që ka filluar edicioni i ri.
Njëherësh Çeferin kërkoi që në të gjitha federatat akterët e ndeshjeve dhe anëtarët e federatave të jenë mirëkuptues dhe mos të bëhen pengesë e zhvillimit të futbollit. Po ashtu, ai ftoj të gjithë që të dëgjojnë këshillat e presidentëve dhe Komiteteve Ekzekutive të federatave sepse ata janë më të informuarit dhe i dinë më së miri edhe vështirësitë financiare.
Në fund, Çeferin shprehu shpresën se edhe autoritetet e secilit shtet do të ndihmojnë në lejimin e zhvillimit të futbollit dhe në investim në këtë periudhë të vështirë. Në fund të takimit të 55 presidentët e federatave anëtare i përkrahën vendimet e presidentit Çeferin dhe të UEFA-s për zhvillimin e futbollit dhe të ndeshjeve.