Si një “veprim i mirë” u vlerësua shkuarja e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor nga ana e analistit, Imer Mushkolaj.
Në “Debat Plus” të RTV Dukagjini, Mushkolaj ka treguar përshtypjet e tij nga takimi i e liderëve të Ballkanit Perëndimor në Athinë. Ai thekson se njohje të reja për Kosovën nuk ishin fokusi i takimit.
“Fokusi i takimit në Greqi nuk ishte njohja ose jo e Kosovës as nga Greqia, as nga Ukraina. Ishte shumë më shumë se kaq, të paktën përpjekja ishte e tillë. Edhe pse në mungesën e Kryeministrit Rama nuk u plotësua ajo fryma evropiane që të jenë të gjithë liderët e Ballkanit perëndimor plus edhe të tjerë”, ka deklaruar ai.
“Pavarësisht përpjekjes së Kryeministrit grek për të thënë se kjo fryma evropiane vazhdon, kjo mungesa e Shqipërisë nuk është pjesë e frymës evropiane dhe nuk mund të thuhet se ky takim i liderëve të rajonit i përmbushi aspektet pritjet që ata i kenë. Interesant u duk takimi i Zelenskyt dhe Vuçiqit. Hera e parë që u takuan, takim i gjatë. Po ashtu, interesant mu duk nënshkrimi i deklaratës nga pjesëmarrësit, edhe nga Vuçiqi sepse në të, deklarata i pozicionon nënshkruesit në krah të BE-së në raport me luftën Rusi-Ukrainë.”
Krahas kësaj, ndonëse e vlerësoi veprim të duhur shkuarjen e kreut të ekzekutivit kosovar, ai ritheksoi se takimi nuk pati frymë evropiane.
“Nëse më pyetni se a do duhej Kurti të shkonte në kë takim unë mendoj se po. Mirë ka bërë…kjo mungesa e Shqipërisë lidhet me atë problemin e arrestimit të kryetarit të bashkësisë së Himarës”, deklaroi Mushkolaj. “Frymë evropiane nuk pati duke filluar nga raportet Shqipëri-Greqi, mungesës së Ramës…ankesat ballkanike që shtetet e rajonit kanë për njëra-tjetrën”.
Njëmbëdhjetë liderë të vendeve të Ballkanit, përfshirë edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, realizuan në Athinë një takim joformal dhe u pajtuan për një deklaratë të përbashkët për përkushtimin e tyre ndaj vlerave të demokracisë dhe sundimit të ligjit në lidhje me agresionin rus në Ukrainë.