Telegrafi

Takimi me Lajçakun, Haziri: Nuk e kemi parë draftin e Asociacionit, Qeveria nuk ka arritur ta kapitalizojë situatën pas 24 shtatorit

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri pas takimit me emisarin evropian për dialogun, Miroslav Lajçak tha se ka konfirmuar angazhimin e LDK-së në këtë proces dhe se nuk ka opsion tjetër përpos dialogut.

Haziri tha se situata pas 24 shtatorit ka ndryshuar, por fatkeqësisht Qeveria e Kosovës nuk ka arritur të  kapitalizojë këtë ambient të mirë politik dhe rikthimin e imazhit të Kosovës.

“Ne u takuam për të disatën herë. Angazhimi i tij është për tu vlerësuar përkundër që po vazhdojmë të mbahemi në terr për shkak të mos zbardhjes së dokumentit, së paku në parime dhe në angazhim apo orientime që kryeministri duhet me u ofruar deputetëve dhe popullit të Kosovës”, tha ai, duke shtuar se dialogu nuk ka opsion dhe është e vetmja rrugë për të zgjedh problemet me Serbinë.

Ai tha procesi sërish ndodhet në situatën e para pesë javëve.

Lexo po ashtu Krasniqi pas takimit me Lajçakun: Na u tha që drafti i Asociacionit është në përputhje me Kushtetutën, por “dreqi fshihet në detaje”

Nënkryetari i LDK-së tha më tej se ka nënvizuar edhe nevojën urgjente për largimin e masave ndëshkuese dhe sipas tij Kosova nuk duhet të dënohet për shkak të paaftësisë së kësaj qeverie.

“Është interes i yni që të vazhdohet dialogu dhe të jemi pragmatik dhe bashkëpunues në kuadër të parimeve të dialogut…”, tha ai.

I pyetur për vlerësimin e LDK-së lidhur me draftin e ri për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Haziri tha se është detyrë e kryeministrit ta prezantojë dokumentin.

Ai tha se janë disa drafte në qarkullim dhe sipas tij asnjëri nuk është dokumenti kryesor, por që mund t’i përmbajë disa pika.

“Drafti është në kopje të limituara dhe në duar të pakta…”, tha ai. /Telegrafi/