Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim liderët e partive opozitare, ku u diskutua për situatën në veri të vendit.
Në takim morën pjesë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, por në takim nuk ishte i pranishëm, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Analistët në “Debat Plus” këtë takim e kanë quajtur si një ndryshim rrënjësor i opozitë bërjes në Kosovë.
Astrit Gashi thotë LVV disa aksione të policisë në të kaluarën i ka mbështetur, por sipas tij atëherë ky subjekt e ka pasur me kurth.
“Opozita nuk e ka përdorur këtë çështje për politikë. Kurti mbështeste aksionin në atë kohë por thoshte se duhet të qëndrojnë deri në fund në një kohë kur të gjithë e dinim se presioni i ndërkombëtarëve ishte i madh për t’u tërhequr. Opozita është më korrekte sot. Këta po thonë qëndro në veri por dëgjojeni edhe ndërkombëtarët”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Vehbi Kajtazi thotë se në Kosovë është duke u ndërtuar një kulturë e re politike.
Ai thotë se këtë kulturë e ka shtyrë mjaft shumë kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku.
“Është mirë si kulturë politike, por nuk besoj se ndryshon diçka kjo…Për Kurtin megjithatë kjo ftesë e liderëve opozitar duket si një servilosje ndaj tij. Kurtit i bëhet qejfi se këta pak po i servilosen. Është një lloj servizilmi ky”.
Ish-ministri Dardan Gashi thotë se opozita po ofron “amnesti” Albin Kurtit edhe nëse ky i fundit tërhiqet nga veriu.
“Albin Kurti derisa është bërë kryeministër ka qenë destruktive në çdo temë. Sot Kurtit po i duhet ndihma e opozitës dhe ajo po i shkon”.
Ylli Hoxha thotë se ftesa e Kurtit dhe përgjigja e Krasniqit dhe Abdixhikut është hap pozitiv për Kosovën.
“Edhe Ibrahim Rugova në ekipin e unitetit kishte përfshirë të gjitha palët. Ai nuk ka pasur aspirata të përfitojë nga dialogu. Edhe atëherë vendimet kanë qenë të rënda, por janë marrë me konsensus. Thaçi prej momentit që është futur në kryeministri asnjëherë nuk ka preferuar konsensusin”.
Arton Demhasaj nga Çohu thotë se Albin Kurti nuk ka plan për veriun derisa ka ftuar në takim edhe partitë opozitare.
“Po të kishte Kurti plane për hapat tjerë kurrë nuk do të ftonte subjektet opozitare. Kurti do të duhej të ftonte partitë opozitare para se të merrte vendimin për aksionin qoftë edhe për një konsultim”, tha ndër të tjera Artoin Demhasaj./Telegrafi/