Site icon Telegrafi

Takimi Kurti-Vuçiq, Muja: Kosova ta definojë nëse ka marrëveshje

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka thënë se iniciativa për Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media ka ardhur vet nga KPM-ja, e që bazohet në Europian Media Act dhe që i njëjti është tentuar të interpretohet edhe në Kosovë.

Ai tha se Qeveria nuk ka pasur përfshirje në këtë projektligj dhe se i njëjti duhet të diskutohet.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, Muja tha se komuniteti i gazetarëve dhe ekspertët e fushës e dinë se cilat janë praktikat e mira dhe se ato të duhet të krahasohen me ato të BE-së.

“Iniciativa për një ligj të tillë ka ardhur nga vet Komisioni i Pavarur për Media bazuar në Europian Media Act që e ka miratuar Komisioni Evropian me praktika të ngjashme sa i përket pronësisë. Është tentuar të interpretohet edhe në Kosovë, besoj që nuk ka pasur ndonjë involvim nga qeveria dhe i njëjti duhet të diskutohet, mund të hedhet në Kuvend dhe pastaj të merr versionin përfundimtarë.

Komuniteti i gazetarëve, ekspertët e fushës i dinë se cilat janë praktikat e mira ato duhet të krahasohen me Bashkimin Evropian dhe besoj që ajo është destinacioni jonë final, qoftë nga praktikat e demokracisë ashtu edhe nga praktika e mediave”, ka thënë Muja.

Ndërkaq, duke folur për takimin e paralajmëruar mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, Muja tha se aty duhet të diskutohet nëse ka vërtet marrëveshje mes dy vendeve, pasi sipas tij, Serbia po shkel marrëveshjet e arritura.

Për këtë, Muja përmendi rastet si fushata e Serbisë për të penguar prezencën e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, bojkotin e zgjedhjeve në veri e sulmin e Banjskës.

“Kosova është një moment të definimit nëse vërtetë ka marrëveshje sepse më 28 shkurt të vitit 2023 kemi pas një marrëveshje në Bruksel pasuar nga një aneks në Ohër dhe pastaj vit pas viti, masë pas mase Serbia ka paraqitur rolin e vet destruktiv dhe kjo ka ardhur në formë të disa veprimeve.

E para është përpjekja të izolohet Kosova në prezencën e saj në arenën ndërkombëtare në kundërshtim me zotimet e asaj marrëveshje.

E dyta është ndërhyrja në punët e brendshme të Kosovës që nga kontrolli i Listës Serbe, bojkoti i zgjedhjeve dhe e treta ishte Banjska. Mendoj që kemi një rast të agresionit të hapur ndaj Kosovës dhe e katërta ishte kur ata formalisht u tërhoqën në dhjetor. Kryeministrja e Serbisë i dërgoi letër ndërmjetësit duke thënë se dy pika të marrëveshjes nuk vlejnë… Ajo çfarë ne duhet të përcaktojmë është në rast se kemi ndonjë marrëveshje”, tha ai.

Sa i përket masave të BE-së, Muja tha se pret që masat tani të largohen pas deeskalimit në veri. /Kp/Telegrafi/

Exit mobile version