Telegrafi

Takimi Kurti -Vuçiq, Hajrullahu: Kryeministri i Kosovës tha se nuk shkon për të vijuar dialogun, ky është një “takim nervash”

Kryeredaktori i Telegrafi.com, Muhamet Hajrullahu ka thënë se takimi Kurti-Vuçiq është i një rëndësie të lartë, fillimisht për shkak se është takimi i parë i dy figurave shumë të votuara në Kosovë dhe Serbi dhe më pas për shkak të karakterit të takimit.

Hajrullahu u shpreh se ky takim është një risi për shkak se në tavolinën e dialogut është kryeministri i ri, i cili për vite me radhë ka protestuar me Lëvizjen Vetëvenedosje dhe ka kritikuar procesin e bisedimeve.

“Ne e dimë që ka pasur takime, zhvillime, bisedime në Bruksel e dialog të vazhdueshëm edhe në kohën e zotit Hashim Thaçi, zotit Ramush Haradinaj, Isa Mustafa, Avdullah Hoti, por tashmë në Kosovë kemi një kryeministër tjetër dhe ai është Albin Kurti. Fakti që Albin Kurti do të jetë në tavolinën e dialogut është risi për faktin që për vite të tëra ka protestuar me Lëvizjen Vetëvendosje, ka rrotulluar të gjitha ato makina e zhvillime që kanë ndodhur për dialogun në Kosovë e tashmë do ta kemi në tavolinën e bisedimeve me Vuçiq”, u shpreh Hajrullahu për EuroNews Albania.

Ai përmendi se qeveria e Kurtit përmend vazhdimisht se ky nuk është një vijimësi e dialogut por një takim për të përcaktuar modalitetet se çfarë do të ndodhë nga sot e më vonë.

Sipas tij ky mund të cilësohet edhe një “takim nervash” sepse do të ketë provokime dhe përplasje verbale, ndërsa theksoi se për të ky nuk do të jetë një takim që do të ketë ndonjë rezultat.