Përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se pret që në takimin e sotëm të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të diskutohet për arritjet në dialog, por edhe për nisjen e zbatimit të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve.
Në një deklaratë për media, para nisjes së takimeve, Borrell tha se takimet paraprake të nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të diskutohet për hapat drejt zbatimit të marrëveshjes.
“Fatkeqësisht, zbatimi i marrëveshjes [për normalizimin e raporteve] ende nuk ka nisur. Dhe shpresojmë që sot ne definitivisht të bisedojmë se si të sigurohemi që ne përfundimisht të lëvizim përpara me këtë marrëveshje. Lidhur me këtë, do të diskutojmë për hapat e radhës dhe është e qartë se ajo për të cilat palët janë pajtuar duhet të zbatohet. Marrëveshjet janë baza e veprimeve, por veprimet duhet të vijnë pas marrëveshjeve. Zbatimi është fjala kyçe”, tha Borrell.
Shefi i diplomacisë së BE-së kujtoi se takimet paraprake mes Kurtit dhe Vuçiqit kryesisht kanë qenë për “menaxhimin e krizave të njëpasnjëshme”, por tha se shpreson që ky takim të jetë ndryshe.
“Sot, në rundin e ri të dialogut shpresojmë se do të përçojë një mesazh tjetër dhe të përfundojë ndryshe. I dërguari ynë i posaçëm ka punuar dhe duam që me dy liderët të diskutojmë se çfarë është arritur në dialog gjatë mandatit tonë që nga viti 2019. Po ashtu, për ne do të jetë e rëndësishme që të dimë se si të dyja palët e shohin të ardhmen e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, se si palët duan ta vazhdojnë këtë proces”, tha Borrell.
Ai tha se pas disa muajsh, postin e tij dhe të Lajçakut do ta marrin persona të tjerë, por theksoi se “marrëveshjet, konkluzionet e Këshillit dhe pritjet e BE-së nuk do të ndryshojnë”.
“Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është në zemër të angazhimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor. Normalizimi po ashtu është i lidhur ngushtë me rrugën e pranimit [në BE]”, tha Borrell.
Pasdite, në Bruksel po mbahet rundi i ri i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve.
Takimi i parë i tyre këtë vit zhvillohet në kohën kur zyrtarët evropianë, të angazhuar në ndërmjetësimin e procesit, janë drejt përfundimit të mandatit pesëvjeçar.
Në Bruksel, Borrell ka nisur takimin me kryeministrin Kurti. Pastaj, ai do të takohet edhe me presidentin Vuçiq, para se t’i takojë ata në një takim trepalësh në fund.
Kryediplomati evropian pritet të flasë për media pas takimit trepalësh.
Josep Borrell do të shërbejë si shef i diplomacisë evropiane deri në vjeshtë, ndërsa javën e ardhshme do të dihet se kush do ta pasojë atë.
Mirosllav Lajçak është emëruar ambasador i BE-së në Zvicër, por do të veprojë si ndërmjetës në dialog derisa të gjendet zëvendësuesi i tij.
“Shpresojmë që të dy liderët të vijnë me vizionin dhe guximin e nevojshëm politik për ta çuar Kosovën dhe Serbinë më afër të ardhmes së tyre evropiane”, tha Lajçak një ditë përpara takimit.
Me shumë mundësi, takimi i sotëm do të jetë i fundit në kuadër të dialogut, nikoqir i të cilit do të jetë Borrell.
Në Bashkimin Evropian nuk kanë pritshmëri të mëdha nga ai.
Gjithçka që BE-ja pret nga udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë, është që ata ta konfirmojnë përkushtimin e tyre ndaj marrëveshjeve që kanë arritur vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër.
Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, që është arritur më 27 shkurt të vitit 2023 në Bruksel dhe Aneksi për zbatimin e saj që është arritur më 18 mars, 2023, në Ohër, nuk i kanë nënshkrimet e Kurtit dhe Vuçiqit, sepse presidenti i Serbisë ka refuzuar një gjë të tillë.
Asnjëra palë, deri më tash, nuk ka bërë ndonjë lëvizje drejt zbatimit të ndonjë elementi të kësaj marrëveshjeje.
Prishtina refuzon të punojë për zbatimin e pikës 7 të marrëveshjes, e cila i referohet formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Beogradi vazhdon ta shkelë nenin 4, ku thuhet se nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Pavarësisht mungesës së nënshkrimeve, BE-ja këmbëngul se marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët.
Por, një prej arsyeve pse Kosova dhe Serbia duhet të jenë të kujdesshme në procesin e dialogut është edhe kushtëzimi i pagesave nga Plani Evropian i Rritjes për Ballkanin Perëndimor me përparimin në dialog.
Për Kosovën dhe Serbinë angazhimi konstruktiv në procesin e normalizimit të marrëdhënieve është një parakusht specifik. Dhe në mungesë të këtij angazhimi mund të pezullohen edhe pagesat nga kjo paketë ambicioze e BE-së. Prandaj ky pritet të jetë edhe një motiv shtesë që palët në dialog të jenë më konstruktive në të ardhmen.
Gjatë qëndrimit në Bruksel, Vuçiq do të ketë takim edhe me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.
Nuk ka njoftime për takime tjera të kryeministrit Kurti në Bruksel, përveç atyre në kuadër të dialogut.
Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit më 14 shtator të vitit të kaluar.
Në atë takim është diskutuar për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve, por ai ka rezultuar i pasuksesshëm dhe ka përfunduar me akuzat e Kurtit se Lajçak “nuk është neutral”.
Dhjetë ditë më vonë ka ndodhur sulmi në Banjskë – fshat në veri të Kosovës – ku grupe të armatosura të serbëve kanë sulmuar policinë e Kosovës dhe kanë vrarë një polic.
Në përleshjet e armatosura që kanë pasuar, janë vrarë edhe tre sulmues serbë.
Në fund të tetorit ka pasur edhe një përpjekje të pasuksesshme për t’i afruar palët, kur janë bashkuar edhe liderët kryesorë evropianë: kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni.
Kurti dhe Vuçiq kanë pasur takime të ndara me udhëheqësit evropianë, por dakordimi nuk ka qenë i mundur.
Kurti ka këmbëngulur në nënshkrimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa Vuçiq ka refuzuar. /REL/