Site icon Telegrafi

Takimi i Gërvalles me ministrin palestinez në Turqi, Kusari-Lila: Në diplomaci mbahen takime zyrtare dhe jo zyrtar

Foto: Arkiv

Dialogu do të ketë ngecje për faktin se Serbia gjithmonë e ka pasur të njëjtin qëllim duke përdorur gjuhën nacionaliste para proceseve zgjedhore, kështu ka theksuar shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

Kusari-Lila shtoi se pala serbe nuk ka pasur vullnet që të ketë avancim të këtij procesi. Ajo thotë se mbetet të shihet se cili do të jetë qëndrimi i këtij shteti pas zgjedhjeve edhe pse nuk pret ndonjë ndryshim të madh.

Ajo vlerëson se Serbia ka dëshmuar një politikë pro-ruse, përderisa Kosova e ka dëshmuar të kundërtën dhe është rreshtuar krah vendeve demokratike.

“Dialogu do të ketë ngecje për faktin se Serbia gjithmonë e ka pasur të njëjtin qëllim duke përdorur gjuhën nacionaliste para proceseve zgjedhore, e njëjta ndodhi edhe me zgjedhjet e 3 prillit. Domethënë prej fillimit vërehet se nuk ka pasur vullnet të ketë përparim ose avancim në agjendën e integrimit rajonal që nënkuptonte progresin në dialog. Tash mbetet të shihet se cili do të jetë qëndrimi pas procesit zgjedhor edhe pse rezultati zgjedhor në Serbi nuk është fare premtues në raport me demokratizimit e vendit. Vërehet një politikë e cila fatkeqësisht në kundërshtime me të gjitha vendet evropiane është pro-ruse. Ndërsa është forcuar ky element me hyrjen e dy forcave politike në Kuvendin e Serbisë. Çfarëdo që themi është e hershme për faktin se duhet të pritet se si do të shkojnë proceset atje ndërsa për të pasur sukses duhet të dyja palët. Kosova në të kundërtën është vend që ka dëshmuar demokracinë funksionale dhe rreshtimin me vendet demokratike dhe do të vazhdojë rrugëtimin e saj përkundrejt problemeve që mund të vijnë nga Serbia”, tha Kusari-Lila, për Ekonomia Online.

Lexo po ashtu MPJD hesht për fshehjen e takimit të Gërvalles me ministrin palestinez në Turqi

Sipas saj, Qeveria e Kosovës me mandatin që ka marrë është e përkushtuar që t’i kryejë të gjitha obligimet që ka karshi qytetarëve për proceset e reformave dhe po punon intensivisht.

“Të gjitha obligimet që i ka Qeveria karshi qytetarëve të saj me mandatin të cilin e ka marrë për procese të reformave të shumta është e përkushtuar dhe po punon intensivisht. Në aspektin e dialogut nëse ka insistim nuk mund të ketë sukses vetëm me njërën palë. Prandaj në fushën dhe orientimin e obligimeve tona si shtet dhe si Qeveri jemi të përkushtuar t’iu dalim karshi pritjeve të qytetarëve të Kosovës. Procesi i integrimit është më tepër që lidh Kosovën me zhvillimet e brendshme, por reformat duhet të bëhen brenda në Kosovë dhe ato tashmë po ndodhin çdo ditë”, tha ajo.

Kusari – Lila ka folur edhe për politikën e jashtme ndërsa ka shtuar se njohja më me peshë ka ardhur nga Izraeli.

“Jam e sigurt se në diplomaci mbahen takime zyrtare dhe jo zyrtare dhe publike e jo publike. Dhe interesi i vendit është që të ketë njohje sa më shumë dhe të jetë i pranueshëm nga të gjithë. Ne nuk mund të jemi peng i krizave të tjerëve, por interesi dhe misioni i ministres gërvalla dhe kabinetit qeveritar është që sa më lartë të ngrisim çështjen e subjektiviteti të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Kosova është pranuar nga Izraeli. Një njohje me peshë për Kosovën për të cilën iu jemi mirënjohës ShBA-së dhe interesi ynë është që numri i njohjeve të rritet në vazhdimësi”, tha Kusari-Lila.

Ndërsa sa i përket akuzave për punësimeve të militantëve partiakë në KEK, Kusari-Lila, ka bërë apel që të mos abuzohet me informata.

“Inkurajojmë të gjitha palët e përfshira, shoqërinë civile dhe mediet që para publikimit të informacioneve mos të abuzojnë me informata. Ne kemi pasur dy deputetë të afërmit e të cilëve janë përfolur për punësim në KEK e të cilat nuk kanë rezultuar të vërteta. Aq më tepër se te rasti i njërit që u tha se vëllai i tij është punësuar, vëllai i tij as që gjendet në Kosovë. Duhet të jetë një llogari e të gjitha palëve të përfshirsa nëse jemi të interesuar që të kemi procese transparente e kredibile dhe të gjithë të mbahemi përgjegjës për detyrat dhe përkushtimet tona”, tha Kusari – Lila.

Exit mobile version