Kryeministri i vendit, Albin Kurti pas takimit me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar në një deklaratë për media tha se Kosova e gatshme për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve, me njohjen reciproke në qendër.
Kurti në këtë konferencë për media ku nuk u lejuan pyetjen e gazetarëve tha se përmes gatishmërisë për takime, vullnetit për marrëveshje dhe propozimeve konkrete, Republika e Kosovës është treguar se është palë konstruktive në procesin e dialogut me Serbinë, raporton Telegrafi.
“Vizita e dytë brenda dy dite e përfaqësuesve të SHBA-së. Me ambasadorin amerikan takohemi rregullisht, ndërsa në fillim të javës së shkuar pata një bisedë shumë të mirë telefonike me sekretarin e shtetit, Antony Blinken.
Me zotin Escobar folëm për rëndësinë dhe peshën e raporteve tona dypalëshe, partneritetin ndërmjet dy vendeve tona, progresin dhe reformat në Kosovë, ballafaqimin e krizës energjetike dhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, procesin e dialogut dhe rrugën përpara”, tha Kurti.
Kreu i ekzekutivit të vendit tha se gjithmonë mirëpresin interesimin dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara në këtë proces.
“Jemi të gatshëm dhe të përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve, me njohjen reciproke në qendër… Me SHBA-të jemi aleatë në vlera dhe partnerë në qëllime…”, u shpreh Kurti.
Ai më tej theksoi se rreshtimi i menjëhershëm i Kosovës me SHBA-të, BE-në, dhe Mbretërinë e Bashkuar në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe mbështetjen e parezervë për Ukrainën përbëjnë dëshminë e aleancës dhe partneritetit Kosovë-SHBA dhe të njëjtën kohë dallimin me të gjithë ata të tjerët që nuk u rreshtuan siç duhet në anën e të drejtës e të vërtetës. /Telegrafi/