Site icon Telegrafi

Takimi me Escobar, Alibeaj: Folëm për situatën në PD, ja interesi që shprehu

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj zbuloi në Euronews Albania detaje në lidhje me takimin që pati me të dërguarin e SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Alibeaj pohoi se zoti Escobar i kishte shprehur interesin e SHBA-ve për zbatimin e rekomandimeve të OSBE-ODHIR, për një proces të rregullt zgjedhor në Shqipëri.

Kreu i PD-së theksoi se barra mbi mbarëvajtjen e zgjedhjeve bie mbi qeverinë dhe zbatimi i rekomandimeve të ODHIR është një gurthemeli për ndërtimin e një shteti demokratik.

Alibeaj shtoi se pjesë e diskutimeve ishte dhe situate në PD, por pa dhënë detaje të hollësishme.

“Escobar tregoi interesin që ai kishte për zgjedhjet vendore, zbatimin e rekomandimeve të OSBE-ODHIR, të cilat janë janë shumë të rëndësishme siç është bërë e ditur edhe nga përfaqësuesja e tyre zonja Kim (ambasadorja e SHBA ne Tiranë). Raporti përcakton korrektësinë e zgjedhjeve që është guri i themelit për ngritjen e një sistemi që të përngjajë me demokracinë”, tha Alibeaj.

“I kam bërë me dije dhe zhvillimet Brenda Partisë Demokratike. Unë besoj se e kanë kuptuar çfarë ndodh me zgjedhjet, edhe raporti i ODHIR i zgjedhjeve të 25 prillit 2021 që doli menjëherë tregoi fare qartë dhe bëri skanerin se çfarë cilësie zgjedhjesh bëhen në Shqipëri”, shtoi Alibeaj.

Më tej Alibeaj shpjegoi se arsyeja se përse këta 61 kandidatë nuk dolën të gjithë në kandidim është sepse u la një hapësirë vendimi edhe për vetë degët dhe nuk u funksionuar siç bëhet gjithnjë me “urdhra nga lart”.

“Pra, duke parë secili situatën në degën e vet, në bashkinë e vet, do të ishin ata në analizë të fundit që do të vlerësonin nëse do të ishte më e dobishme për ta dhe për Partinë Demokratike që të merrnin përsipër kandidimin për kryetar bashkie apo jo dhe çfarë do të ishte pozicioni i strukturave lart, kryesia e me radhë, do të ishte t’i bindeshin, të pranonin atë zgjedhje që do të bënin degët poshtë”, u shpreh Alibeaj.

Ai tha se në këtë hapësirë vlerësimi rezultoi se jo të gjithë krerët e degëve morën përsipër kandidimin për kryebashkiak në zgjedhjet lokale të 14 majit.

Alibeaj u pyet dhe në lidhje me tërheqjen e kandidatëve të PD-së nga zgjedhjet lokale.

Në përgjigjen e tij, Alibeaj pranoi që ky është një fakt dhe tha se duhet të respektohen zgjedhjet personale të gjithësecilit.

Kreu i PD-së theksoi se zgjedhjet e 14 majit janë një test për qëndrimet e tyre të mbajtura gjatë këtij viti dhe në bazë të rezultatit partia do t’i nënshtrohet një procesi ristrukturimi.

“Ky është një fakt. Dua të bëj të qartë një gjë, ajo që është linja politike e PD është se të gjithë ata deputetët, anëtarë Kryesie, kandidatë, kryetarë degësh, përfaqëses të Këshillave Bashkiakë duhet të kenë një qëndrim të qartë dhe të saktë tek vota dhe mbështetjen e Partisë Demokratike. Ky është rregull statutor i PD-së”, tha Alibeaj.

“Por nëse duam të jemi në një shoqëri të lirë dhe të respektojmë lirinë e individit secili mund të zgjedhë rrugën e vetë, duke bërë përllogaritjet e tij të kostove dhe përfitimeve të qëndrimit politik. Ajo që është e rëndësishme është ajo që do ndodhë me PD pas këtyre zgjedhjeve, për të marrë vlerësimin e qytetarëve në lidhje me qëndrimin që kemi mbajtur deri tani për një vit e gjysmë. Partia Demokratike do të testohet dhe pas 14 majit PD është e detyruar për shkak të statutit dhe të ngjarjeve që të futet në një proces ridimensionimi dhe riorganizmi të kulturës së bëri politikë”, tha Alibeaj.

Alibeaj foli në tej edhe në lidhje me situatën në PD-së dhe përplasjet me ish-kryeministrin Sali Berisha.

Alibeaj tha se Berisha përdori zhgënjimin e demokratëve nga humbja në 25 prill 2021, duke ia faturuar humbjen Bashës, dhe duke marrë rezultat pozitiv në zgjedhjet e 6 marsit.

Por kreu në detyrë i PD-së theksoi se një nga faktorët kyç që demokratët humbën në zgjedhjet e përgjithshme ishte modeli i korrupsionit të Berishës, duke e bërë atë fajtorin kryesor.

Alibeaj, nënvizoi se mungesa e mbështetjes ndërkombëtare për shkak të Berishës u bë arsyeja se përse u certifikuan zgjedhjet e vjedhura të kryeministrit Rama.

“Çështja e shumicës dhe pakicës janë çështje që janë të pamatshme, ose janë të matshme në një momet dhe pastaj me kalimin e kohës janë të ndryshueshme. E kuptoj në 6 mars dhe dikush mund të thotë që kishte shumicën, por çfarë ndodhi në atë kohë? Në një mënyrë aspak të moralshme përdori dëshpërimin e të gjithë demokratëve për atë çfarë ndodhi më 25 prill të 2021-shit. Të cilat në fakt ishin zgjedhje të vjedhura. Nëse e mbani mend pas 25 prillit tha që zgjedhjet nuk ishin të vjedhura por ishin të shitura prej Lulzim Bashës”, tha kreu i PD-së.

“Sepse ishte e dukshme sepse donte që fajin t’ia faturonte dikujt tjetër. Fajin më të madh të humbjes së PD-së në zgjedhjet e 25 prillit ishte pikërisht fenomeni që ai përfaqësonte. Por nëse Partia Demokratike nuk erdhi në pushtet dhe nuk pati mbështetjen e partnerëve euro-atlantikë, ishte pikërisht ekzistenca e modelit të tij të qeverisjes që datonte nga viti 2013, arroganca dhe korrupsioni”, tha Alibeaj. /Telegrafi/

Exit mobile version