Në Curitibi të Brazilit disa ditë më parë ka ndodhur një aksident trafiku, nga i cili për pak sa nuk e pagoi me jetë një vajzë e vogël.
Nga goditja e fuqishme asaj i është thyer njëra këmbë, kërdhokulla si dhe disa dhëmbë, transmeton Telegrafi.
Shoferi ishte konstatuar se nuk kishte pasur kurrfarë faji, pasi vogëlushja Haghatta derisa po luante në një park prapa një autobusi të parkuar – kishte vrapuar në mes të rrugës.
Aty shoferi e kuptoi se është shumë vonë dhe e goditi me pjesën e përparme – duke u ndalur menjëherë për t’i ofruar ndihmë.
Ky rast e ka prekur aq shumë shoferin, sa që filloi të dridhet i tëri nga paniku – e momenti më emocionues ishte kur atij iu afrua babai i vajzës së pafat Haghatte.
Ai pa u menduar dy herë e përqafoi me qëllim që të qetësohet, dhe ta kuptojë se prindërit e vogëlushes nuk kanë asgjë kundër tij.
“Nuk ka qenë momenti për grindje dhe rrahje, ka qenë moment i përkrahjes dhe ngushëllimit. Pash sinqeritetin në sytë e tij”, ka thënë babai brazilian për mediat, duke zbuluar se çfarë kishte diskutuar me shoferin.
“Unë nuk kam çfarë të fali ty. A e ke goditur vajzën time nga dëshira? Jo. E ke bërë padashje, ka qenë një aksident në rrethana të komplikuara. E tëra çfarë kërkoj nga ti është që së bashku të lutemi për bijën time”, i ka shtuar braziliani.
E mediat në Brazil kanë raportuar se vogëlushja për intervenimit të mjekëve ka rimarrë veten, dhe se aktualisht gjendja e saj shëndetësore është përmirësuar dukshëm. /Telegrafi/