Telegrafi

Takimi i 27 shkurtit në Bruksel, Abrashi: Asociacioni pa kompetenca ekzekutive të kushtëzohet me marrëveshje finale

Kanë mbetur edhe dy ditë nga mbajtja e takimit të 27 shkurtit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel, ndërkaq para do të kenë propozimin e Bashkimit Evropian (BE) për normalizimin e marrëdhënieve. 

Lidhur me takimin e së hënës, ditë më parë është deklaruar i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, i cili theksoi se pret që Kosova dhe Serbia të pranojnë planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve.

“Ka ardhur koha që ai takim të organizohet në Bruksel dhe presim që nga partnerët tanë ta pranojnë zyrtarisht dhe publikisht atë propozim dhe të diskutojmë zbatimin e tij, kështu që ky është qëllimi i takimit tonë të hënën”, ka thënë Lajçak.

Ndërsa, para takimit në Bruksel, Kurti ka zhvilluar të premten një bisedë telefonike me këshilltarin e lartë amerikan Derek Chollet. Ky i fundit në një postim në Twitter pas bisedës telefonike me Kurti shkroi se SHBA-të mbështesin një takim konstruktiv që afirmon përkushtimin e të dyja palëve ndaj propozimit të Bashkimit Evropian.

Ai theksoi se tani është koha për të diskutuar për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe se të dy vendet duhet të zbatojnë marrëveshjet e nënshkruara.

E për takimin e së hënës është deklaruar edhe njohësi i fushës së politikës, Emir Abrashi i cili tha se pala kosovare duhet ta kushtëzojë implementimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe me arritjen e marrëveshjes përfundimtare.

“Takimi i së hënës në Bruksel zhvillohet pas një periudhe të bllokimit të dialogut. Megjithëse gjatë kësaj periudhe ka pasur vizita të rregullta nga ana e emisarëve të huaj në Prishtinë e Beograd, palët megjithatë kanë dhënë sinjale të çrregullta rreth pranimit ose jo të këtij plani…

Por ajo që është me rëndësi është që pala kosovare të jetë e përgatitur për të paraqitur një plan për formimin e Asociacionit pa kompetenca ekzekutive, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me Marrëveshjen e vitit 2015, të cilën e ka nënshkruar edhe pala serbe, në mënyrë që topin t’ja gjuaj në fushë Beogradit, duke e hequr kështu përgjegjësinë nga vetja në rast të mos arritjes së një marrëveshjeje të hënën”, u shpreh ai.

Lexo po ashtu Kurti ia konfirmon Cholletit qëndrimin pro propozimit evropian, thotë se është bazë e mirë drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë

“Në këtë formë, Kosova do të arrinte që Serbisë t’i shtonte presionin nga ndërkombëtarët dhe t’i shpërfaqte fytyrën e vërtetë presidentit serb, i cili dëshiron zvarritjen në pafundësi të dialogut”, tha ndër të tjera Abrashi.

Ndërsa, të shtunën kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se takimi i së hënës në Bruksel ndërmjet Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiq nuk do të sjellë marrëveshje finale gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen e ndërsjellë në qendër.

Lexo po ashtu Krasniqi: Takimi i së hënës ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit është për Asociacionin, jo për njohjen

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimin e planifikuar për datën 27 shkurt, do të kenë përpara një propozim të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

Të hënën, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell, fillimisht do të ketë takime bilaterale me liderët ndaras, e pastaj takim të përbashkët. /Telegrafi/