I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka vazhduar takimet me zyrtarë të shteteve evropiane për t’i njoftuar për dialogun.
Pas vizitës javën që kaloi në Kosovë, Lajçak gjatë të hënës e martës takoi zyrtarë të lartë të Spanjës, Sllovakisë dhe Qipros, ndërsa së fundi takoi edhe zyrtarë të Greqisë, saktësisht të dërguarën greke për Ballkanin Perëndimor, Sofia Grammata.
“Me të dërguarën e Greqisë për Ballkanin Perëndimor, fola për përpjekjet e Bashkimit Evropian për avancimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe rolin e rëndësishëm të Greqisë në rajon”, shkruan Lajçak në Twitter.
With ?? envoy for the Western Balkans, I spoke about our ?? efforts on advancing normalisation of relations between Kosovo and Serbia and the important role of Greece in the region. pic.twitter.com/bL0yNROMH5
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) January 24, 2023
Spanja, Sllovakia, Qipro, Greqia dhe Rumania janë pesë shtetet e BE-së që ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës.
Ndryshe, javët e fundit janë intensifikuar vizitat në Kosovë e Serbi me qëllim të shtyrjes para të procesit të dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq të hënën në mbrëmje ka lënë të nënkuptohet se Serbia e ka pranuar planin franko-gjerman për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
Ndërkaq, mbrëmë zyrtari amerikan Derek Chollet ka biseduar përmes telefonit me Kurtin, të cilit i ka kërkuar të pranojë propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. /Telegrafi/