Bordi i çështjeve emergjente të Federatës së Futbollit të Malit të Zi do të takohet sonte (e premte) pas ndeshjes kundër Kosovës, kur pritet të zyrtarizohet largimi i trajnerit Ljubisa Tumbakovic.
Ditët dramatike në futbollin malazez kanë rezultuar me vendimin e përzgjedhësit që të mos e drejtojë ndeshjen kundër Kosovës, për shkak të presioneve të mëdha nga Serbia, ndaj të cilës është ekspozuar edhe familja e tij.
Për arsye të njëjta, në ndeshjen kundër ekipit tonë kanë refuzuar të luajnë edhe futbollistët e Crvena Zvezdas, Mirko Ivanic dhe Filip Stojkovic – shkruan vijesti.me.
Pas takimit të të premtes me kreun e Federatës, Dejan Savicevic, Tumbakovic vendosi që të largohej përgjithmonë nga posti i trajnerit të Malit të Zi.
Gjithçka ka të bëjë me aspektin moral të 66-vjeçarit, i cili e konsideron joserioze dhe joprofesionale që ta drejtojë skuadrën në ndeshje të caktuara – ndaj Anglisë, Bullgarisë dhe Republikës Çeke, ndërsa të shmangë ndeshjet kundër Kosovës.
Përzgjedhësi dhe asistenti i tij, Aleksandar Jankovic, do ta përgatisin skuadrën për ndeshjen ndaj Republikës Çeke (që zhvillohet të hënën), që do të shënojë angazhimin e fundit profesional me Malin e Zi.
Kujtojmë që kjo përfaqësuese do të luajë kundër Kosovës në Prishtinë në muajin shtator të këtij viti. /Telegrafi/